E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohen të akuzuarit për vrasjen e vëllezërve Bytyçi



Gjykata për krime të luftës në Beograd ka liruar ish-punonjësit e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Sreten Popoviç dhe Millosh Stojanoviç, të cilët akuzoheshin për ndihmë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, në vitin 1999. Ata janë të akuzuar se vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi i kanë dorëzuar tek pjesëtarët e panjohur të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, të cilët i kanë vrarë më 9 korrik të vitit 1999, në vendin Petrovo Sello. Në këtë vend, pas dy vjetësh, në njërën nga dy varrezat masive janë gjetur mbetjet e tyre mortore. Vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi luftuan në Kosovë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ishin arrestuar nga autoritetet serbe “për shkak të kalimit ilegal të kufirit”. Vëllezërit Bytyçi ishin shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së. Procesi gjyqësor në këtë rast kishte nisur më 13 nëntor të vitit 2006.

Gjeorgji
BE-ja e shqetësuar: Po ngrihet Muri i Berlinit

Personalitete të njohura europiane kanë ngritur shqetësimin se një mur i ri Berlini po ngrihet në Gjeorgji me aneksimin de facto të dy rajoneve nga Rusia. Shqetësimi u bë publik përmes një letre të hapur, të botuar në gazetat europiane, e të nënshkruar nga ish-presidenti i Çekisë, Vaslav Havel, eurodeputeti Daniel Kohn-Bendit dhe filozofët francezë Andre Glukman dhe Bernard Henri Levi. Sipas tyre, në Gjerogji është në lojë integriteti i vetë Europës.

Iran
Ahmadinexhad kërcënon: Ai që na sulmon i “ka duart e prera”

Presidenti Mahmud Ahmadinexhad, tha se asnjë shtet nuk do të ketë sukses, nëse ndërmerr operacion agresiv kundër Iranit. Gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror, ai tërhoqi vërejtjen se kushdo që e sulmon këtë vend, do t’i ketë “duart e prera” nga forcat e armatosura iraniane. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk e kanë përjashtuar aksionin ushtarak kundër Iranit lidhur me programin e tij bërthamor, për të cilin ka shqetësime se synon prodhimin e armatimit atomik.

SHBA
Obama: “Ende nuk ka vendim për Afganistanin”

Presidenti amerikan, Barak Obama, thotë se vendimin për shtimin ose jo të trupave të NATO-s në Afganistan, do ta marrë pasi të jetë i sigurt se çfarë strategjie do të zhvillojnë Shtetet e Bashkuara në rajon. Ai tha se për këtë çështje do t’i shtrojë pyetje të ashpra ekipit të tij për siguri kombëtare. Këto komente u bënë pasi gjenerali Mekkristal, ka tërhequr vërejtjen se pa trupa shtesë, lufta e udhëhequr nga SHBA-të kundër kryengritësve në Afganistan do të përfundojë me dështim.

Gjermani
Në avantazh koalicioni Unioni-FDP

Një koalicion i mundshëm mes konservatorëve të Unionit dhe Liberalëve do t’i jepte kancelares Angela Merkel, 48 për qind të votave në zgjedhjet e Gjermanisë. Pesë ditë para votimit, një sondazh i publikuar nga tabloidi “Bild” i jep aleancës CDU-CSU-FDP shumë vota, por jo mjaftueshëm për të formuar qeverinë. Sipas anketës, socialdemokratët, Jeshilët dhe partitë e tjera të vogla por të përfaqësuara në Parlament, do të merrnin me përafërsi 47 për qind të votave.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›