E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, masainkurajuese për të rritur turizmin

ATHINE-Qeveria greke synon që turistët nga rajoni të përjashtohen nga procedurat e Shengenit për pajisjen me vizë, por vetëm për grupet e organizuara, që viziojnë Greqinë për një apo dy ditë.
Në përpjekje për të balancuar shifrat në rënie të prurjes së turistëve, qeveria greke ka deklaruar se do të kompensojë gjithë ata që detyrohen të qëndrojnë më shumë ditë në Greqi, për arsye grevash apo fenomenesh natyrore.

Në kushtet e thellimit të të krizës ekonomike dhe mungesës dramatike të fondeve, qeveria greke ka vendosur të shfrytëzojë internetin për të promovuar turizmin vendas.

Duke paraqitur spotin e ri publicitar, para gazetarëve të huaj, ministri grek i Kulturës dhe Turizmit, Pavlos Gerulanos, tha se spoti është përgatitur nga televizioni publik, pa asnjë kosto monetare, teksa edhe turistët e huaj që u përzgjodhën e ofruan vullnetarisht kontributin e tyre.

Video me titullin "You in Greece", do të qarkullojë në mijëra faqe interneti, me synimin që të joshë turistë nga vendet më të zhvilluara to botës.

Koncepti i fushatës së re, është që të ndryshojë mendimi se Greqia ofron vetëm diell dhe det, dhe i mëshohet më së shumti turizmit kulturor, falë muzeumeve dhe zonave të shumnta arkeologjike.

Ministri i Turizmit tha se kriza që ka përfshirë Greqinë, por sidomos ngjarjet në fillim të muajit të kaluar, me trazirat në Athinë, ku gjetën vdekjen tre persona, ndikuan në një numër të konsiderueshëm anullimesh të udhëtimeve turistike që ishin prenotuar për në Greqi.

Ministri tha se situata ka filluar të ndryshojë për mirë, por shtoi se prenotimet kanë një rënie prej 10% krahasuar me një vit më parë.

Në përpjekje për të joshur sa më shumë turistë dhe pas peripecive me hirin vullkanik që paralizoi transportin ajror në thuajse gjithë Europën, qeveria greke tashmë premton kompensime për turistët që do të detyrohen të qëndrojnë më shumë në Greqi për arsye fenomenesh natyrore.

Por edhe për raste grevash, që në Greqi janë një fenomen shumë i zakonshëm e javët e mëparshme kanë bllokuar mijëra turistë nëpër kroçera, që nuk i linin të ankoroheshin në portet greke.

Ministri grek i Turizmit, tha se qeveria po negocion me Bashkimin Europian, me qëllim që të përjashtohen nga detyrimi i vizës shtetasit turq, rusë dhe ukrainas, që vizitojnë për pak ditë Greqinë për turizëm.

I pyetur nga BBC nëse mendohet të bëhet e njëjta gjë edhe për shtetas nga rajoni, si Shqipëria, që ka përmbushur shumicën e kushteve teknike për liberalizimin e vizave, ministri tha se qeveria ka në plan të thjeshtojë procedurat.

Përpjekjet e tanishme të qeverisë konsistojnë në përmirësimin e imazhit të Greqisë, që muajt e fundit është dëmtuar për shkak të grevave të vazhdueshme dhe protestave intensive ndaj masave shtrënguese ekonomike.

(d.b/BBC/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›