E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, miratohet një sistem ndihme 18 mld euro për bankat

ATHINË - Qeveria greke miratoi një sistem tranzitor ndihme me vlerë prej 18 miliardë eurosh, për të ndihmuar bankat e mëdha të vendit të rikapitalizohen, pas humbjeve të pësuara në fshirjen e një pjese të borxhit publik grek.

Përfituesit e kësaj ndihme janë katër bankat kryesore të angazhuara në borxhin publik të Greqisë, National Bank, Alpha Bank, Eurobank dhe Banka e Pireut.

Fondet do të vijnë nga mekanizmi evropian për stabilizimin financiar (FESF).

Sigurimi i 18 miliardë euro nëpërmjet Fondit të Stabilitetit Financiar të 4 bankave të mëdha tregtare, shihet si një zgjidhje e përkohshme deri në rikapitalizimin e plotë. Javën e ardhshme qeveria në mbledhjen e saj do të marrë një vendim, për të vazhduar me disbursimin e shumës.

Memorandumi parashikon që rikapitalizimi i bankave nëpërmjet blerjes, të kompletohet deri në shtator, në mënyrë që bankat të arrijnë treguesit kryesorë bazë të kapitalit, por disa specialistë mendojnë se ky proces mund të zgjasë deri në dhjetor.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë, kryeministri Papadhimos informoi anëtarët e kabintetit mbi ecurinë e veprimeve të zbatimit të programit të dytë ekonomik, deri në fund të prillit 2012. Ai theksoi rekomandimet për ministrat e qeverisë së tij, në mënyrë që ata të intensifikojnë përpjekjet e tyre, për të lëvizur shpejt në zbatimin e detyrimeve, që rrjedhin nga zbatimi i programit ekonomik deri në fund të prillit.

Papadhimos tha se “qëllimi është që qeveria e ardhshme të ketë projektin e plotë, për të përshpejtuar politikat e saj”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›