Greqi, ndërkombëtarët përshëndesin zgjedhjet
“Sfidat janë rimëkëmbja dhe rritja e ekonomisë”
Fitorja e ngushtë e Demokracisë në zgjedhjet e së dielës është mirëpritur nga liderët botërore, të cilët i kanë kërkuar Athinës të formojë sa më shpejt kabinetin qeverisës. Vendet e Eurozonës thanë se nevojiten reformat ku Athina të garantojë kapërcimin e sfidave ekonomike e sociale. SHBA theksuan se është në interesin e të gjithëve që Greqia të qëndrojë në zonën euro. Në një deklarate kreu i eurogrupit Zhan Klod Junker tha se “reformat strukturore dhe fiskale janë garancia më e mirë për Greqinë për të kapërcyer sfidat ekonomike e sociale për një të ardhme më të mirë për Greqinë në zonën euro”.
Në Berlin, ministri gjerman i Financave, Volfang Shoible tha se rezultati i zgjedhjeve “është një vendimi i votuesve grekë për të çuar përpara implementimin e reformave ekonomike e fiskale”. Gjithsesi Shoible paralajmëroi se “kjo rrugë do ti sjellë Greqisë perspektivën për një të ardhme më të mirë”.
FMN deklaroi se është i gatshëm të bashkëpunojë me qeverinë e re greke që do të krijohet, për të arritur stabilitet ekonomik, zhvillim dhe rritje të punësimit në Greqi.
Presidenti i Bashkimit Europian, Herman van Rompuy dhe presidenti i Komisionit, Jose Manuel Barroso, theksuan nga Los Campos (Meksikë), se ata shpresojnë që rezultati i zgjedhjeve greke të lejojë krijimin “së shpejti” të një qeverie, ndërsa u angazhuan për mbështetjen e BE ndaj Athinës.
“Shpresojmë se rezultati i zgjedhjeve do të lejojë krijimin “së shpejti” të një qeverie”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të dy liderëve.
“Do të vazhdojmë të mbështesim Greqinë si pjesëtare të femiljes së BE dhe të eurozonës. Jemi të gatshëm të vazhdojmë ofrimin e ndihmës”, shtojnë Rompuy dhe Barroso, nga Los Campos, ku ndodhen për takimin e liderëve të vendeve anëtare të G-20-s.
“Programi i dytë financiar, që është arritur ndërmjet Greqisë dhe Eurogrupit, është baza mbi të cilën do të ndërtojmë për të ndihmuar zhvillimin, prosperitetin dhe punësimin për popullin grek. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Greqinë të arrijë objektivat e veta”, përfundojnë Rompuy dhe Barroso.