E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wollfarth: Të mbyllet reforma zgjedhore

18-06-2012 / Gazeta 55

Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth deklaroi sot se forcat politike duhet të respektojnë afatet për përfundimin e reformës zgjedhore. “Deri më tani është bërë punë shumë e mirë për reformën zgjedhore nga komisioni i drejtuar nga dy bashkëkryetarët dhe nga spektri politik. Është një punë e bërë edhe në bashkëpunim me OSBE/ODIHR-in. Është e rëndësishme që të ndërmerren edhe hapat e fundit për përfundimin e reformës zgjedhore”- theksoi Wollfarth. Ai i ka rikujtuar klasës politike shqiptare se duhen mbyllur sa më shpejt puna për reformën parlamentare, atë zgjedhore, si dhe heqjen e imuniteteve. Sipas tij, është shumë e rëndësishme për besueshmërinë e sistemit zgjedhor që të trajtohen dhe të ndërmerren hapat e fundit për të përfunduar reformën zgjedhore. “Dy janë çështjet që duhet trajtohen: ajo e kompozimit të KQZ-së dhe mënyra se si duhet të trajtohen ankimimet, pas përfundimit të zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme të ndërmerren këto hapa të fundit për përmbylljen me sukses të reformës zgjedhore, që të kemi një kod përfundimtar të një cilësie të lartë”, deklaroi ambasadori i OSBE-së, i cili ka shprehur më tej rëndësinë e reformës në gjyqësor si dhe për heqjen e imunitetit të zyrtarëve.

Të rritet pjesëmarrja e grave në politikë
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth ka deklaruar se numri i grave në kryesitë e partive politike është ende i vogël dhe kjo situatë duhet të gjejë zgjidhje.
Duke folur në tryezën e organizuar për rritjen e pjesëmarrjes së grave në partitë politike, ambasadori Wollfarth ka vlerësuar domosdoshmërinë e rritjes së pjesëmarrjes së gruas në politikë, ndërsa ka kërkuar një punë më të madhe nga partitë politike në këtë drejtim.
“Një barazi më e madhe gjinore është për arritjen e sigurisë. Rritja e pjesëmarrjes së grave në politikë është një element logjik në zhvillimin e barazisë gjinore. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për partitë politike. Fakti është që fatkeqësisht që numri i grave vazhdon të jetë shumë i ulët dhe kjo duhet të zgjidhet që tani e tutje. Partitë politike kanë një shkallë të lartë përgjegjësie për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë. Demokracia kërkon që partitë politike t’i hapin radhët e tyre për një pjesëmarrjen më të madhe të grave në politikë dhe në të gjitha nivelet”- shtoi Wollfarth.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›