E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, ndjekja policore për shqiptarët e arratisur, 1 milion euro

Më shumë se 1 milion euro ka kushtuar operacioni me qëllim kapjen e të arratisurve nga burgu i Trikalas për policinë greke. Kështu shkruan sot gazeta greke Protothema.

Sipas gazetës në fjalë, që nga mbrëmja e 22 marsit, kur ata u arratisën nga burgu i Trikalas, dhe përshkuan gati gjysmën e Greqisë, policia greke ka shpenzuar më shumë se 1 mln euro duke ngritur në këmbë forcat e saj anembanë Greqisë. 

Në ndjekje të shqiptarëve janë vënë 2 helikopterë të policisë, gjashtë motoskafë të policisë portuale, dhjetëra komando EKAM, dy skuadra zhytësish, gjurmues të ushtrisë dhe disa qindra policë nga zonat ku kanë kaluar shqiptarët, operacion që është jashtëzakonisht i kushtueshëm.

Po sipas gazetës në rastin që policia do të dështojë në kapjen e të arratisurve, e gjitha kjo do të jetë një “fiasco” e madhe, pasi ndërkohë që Greqia po përjeton një krizë të madhe ekonomike, policia përdor të gjitha mjetet e saj pa kufizim, por pa efekte. 

Gazeta bën një përllogaritje të shpenzimeve që iu duhen forcave policore, rreth 40 forcave komando me automjete të vecanta, që kanë shpenzime 5000 euro në ditë, helikopterëve, të cilët veç kostos së karburantit rreth 100 000 euro kanë edhe koston e mirëmbajtjes, anijeve që patrullojnë nga deti që nga Preveza deri në Korfuz, kostoja ditore e të cilave kalon 5000 euro, rojeve bregdetare me kosto ditore 80 euro secili, rojet kufitare si dhe forcave të ushtrisë, duke e cilësuar gjithë këtë “fiaskoja e artë”. 

Gazeta shkruan se Marian Kola dhe bashkëpunëtorët e tij mund të jenë të trajnuar dhe të rrezikshëm, por kjo nuk arsyeton faktin që për 4 muaj e gjysmë policia greke iu është vënë pas, por pa mundur t’i kapë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›