E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorenc Bejko: Berati, i rrezikuar nga lejet në qendra historike!

TIRANE- Koha tregoi se ne nuk ishim gati që Berati e Gjirokastra të bëheshin pjesë e UNESCO-s". Lorenc Bejko, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve, sot pesë vite pasi bëri të mundur që dy qytete të Shqipërisë të ishin pjesë e pasurisë botërore, duket më shumë se i zhgënjyer teksa flet në "Gazeta Shqiptare". Ndërtime me leje (!!!) në qendra historike nga IMK-ja duket se po e çojnë drejt një transformimi gradual Beratin 2500-vjeçar. Çdo ditë e nga pak, shtesa e volumeve ekzistuese po ia zbeh vlerat për të cilat e lëvdojmë. Si të mos mjaftonte kjo, investimi i fundit me fond të KE, i ka dhënë qytetit kalldrëme 'moderne', duke i ikur traditës së hershme, a thua se prej tyre u kërkua t'i jepej një fshesë e fortë asaj që deri më tani qe ruajtur me aq fanatizëm. 

Bejko vë në dukje edhe faktin se që prej ditës kur ai e la detyrën në IMK, nuk u mblodh asnjëherë ekipi i administratorëve, i ashtuquajturi Komitet, që duhej të menaxhonte Beratin e Gjirokastrën, tashmë pjesë e UNESCO. Drejtori aktual, Apollon Baçe, e ka hequr nga vetja përgjegjësinë. Në këtë pikë duhet shtuar edhe mendimi i Bejkos për të si drejtues, kur thotë se "IMK është jashtëzakonisht larg asaj që duhet të ishte edhe pse është institucion qendror i trashëgimisë. Ajo ka katër vjet, e këtë duhet ta them, që është nën diktatin e një njeriu të vetëm dhe nuk është më një institucion sot. Është vullneti i një individi që i takon së shkuarës". 

Përpos kësaj, Bejko u bën një analizë edhe zhvillimeve të tjera në trashëgimi, duke cekur disa prej problemeve kyçe të saj: niveli i profesionalizmit në strukturat që menaxhojnë Beratin lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar, mospërshtatja e ndërtimeve pa leje, projekte që nuk bëhen në mënyrë profesioniste... 
(Shkrimi i plote sot ne GazetaShqiptare) 
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›