E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, nis gjyqi ndaj ushtarëve për thirrjet antishqiptare

Një Gjykatë në Pire të Greqisë ka nisur gjykimin ndaj një grupi pjesëtarësh të forcave speciale të ushtrisë greke të cilët akuzohen për thirrje rraciste antishqiptare gjatë një parade ushtarake vitin e kaluar.
 

29 pjesëtarët u paditën nga Komiteti grek i Helsinkit pas shfaqjes së videos e cila tregonte ushtarakët në një paradë në kryeqytetin grek Athinë duke kënduar një marsh ushtarak ku shprehej urrejtja ndaj shqiptarëve.
 

Vëzhguesi grek i Komitetit të Helsinkit Panajotis Dimitras reagoi menjëherë pas ngjarjes dhe organizata që ai përfaqëson bëri edhe depozitimin e padisë për shkelje të ligjit kundër racizmit.
 

Proçesi gjyqësor sipas mediave greke ka filluar me dëgjimin e palëve ndërsa mësohet se ndërsa procesi zhvillohej në gjykatë, të afërm dhe qytetarë grekë u mblodhën jashtë dyerve të gjykatës duke lëshuar parrulla patriotike. Gjyqi është ndjekur gjithashtu nga përfaqësuesit politikë të Partisë së ekstremit të djathtë “Laos”.
 

Ndonëse në Greqi janë ulur ndjeshëm gjatë viteve të fundit tonet rraciste ndaj shqiptareve nuk mungojnë raste të veçuara. Trajtimi i tyre, sidomos në mjetet greke të informimit, sipas analistëve të shtypit nga Athina, është bërë me tone më realiste. Kjo, sipas tyre, larg problematikave të viteve të shkuara kur shqiptarëve u visheshin epitete , sidomos me ngjarje kriminale që më pas rezultonte se këto ngjarje se nuk kishin të bënin me emigrantët shqiptarë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›