E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, parlamenti miraton buxhetin për 2010-ën

Parlamenti grek ka miratuar buxhetin e shtetit për vitin 2010, i cili shënoi një reduktim të deficitit publik. Teksti i hartuar nga qeveria u miratua nga 160 deputetët socialistë të PASOK-ut, të ardhur në pushtet që prej muajit tetor.
Deputetët e Partisë Konservatore, Komuniste, të Majtës Radikale dhe Ekstremit të Djathtë, votuan kundër. Ky votim u zhvillua në një moment kur Greqia prej disa muajsh po përballet me një krizë financiare të pazakontë. Parlamenti i Greqisë miratoi me votat e socialistëve buxhetin e vendit për vitin e ardhshëm, që konsiderohet si hapi i parë drejt daljes nga kriza e thellë ekonomike. Buxheti parashikon uljen e deficititi buxhetor gjatë vitit 2010 nga 12,7 në 9,1 për qind dhe sipas ekspertëve kjo duhet të arrihet në radhë të parë me masa për parandalimin e mashtrimeve me tatime, uljen e shpenzimeve për sektorin publik dhe uljen e buxhetit për mbrojtje. Kryeministri socialist Jorgos Papandreu e quajti këtë buxhet si hapin e parë për kthimin e besueshmërisë në vend. Greqia aktualisht po përballet me borxhet rekorde në vlerë prej rreth 300 miliardë euro. Bashkimi Europian ka bërë të ditur se me shqetësim po i përcjell zhvilimet në këtë vend i cili i takon zonës së euros. Javën e kaluar komisioni Europian përshëndeti planin e paraqitur nga kryeministri grek Jorgos Papandreu për rimëkëmbjen e ekonomisë. Papandreu njoftoi së fundmi një plan për rimëkëmbjen ekonomike me objektiv qetësimin e partnerëve europianë. Si masa emergjente për rimëkëmbjen e financave të shtetit Papandreu paralajmëroi shkurtimin e shpenzimeve për sigurimin shoqëror, përcaktimin e tavanit të sipërm për rrogat më të larta në sektorin publik dhe ndalimin e punësimeve të reja në këtë sektor. Veç kësaj Papandreu synon dhënien e impulseve pozitive me anë të privatizimeve dhe duke mbështetur teknologjinë për mjedisin. Sistemi i vjetëruar i pensioneve do të ristrukturohet përmes shkrirjeve të arkave të pensioneve. Do të luftohen më me forcë korrupsioni, nepotizmi dhe evazioni fiskal, do të hiqen shpërblimet në sektorin bankar shtetëror.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›