Obama fiton betejën, senati aprovon reformën në shëndetësi
Senati amerikan ka miratuar reformën shëndetësore. Votimin e udhëhoqi zvpresidenti amerikan, Joe Biden. Ndërkaq reforma ka siguruar tashmë dhe miratimin e Dhomës dhe rrugën e lirë nga ana e senatorëve. Mbi bazën e reformës, 30 milionë njerëz më shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të mbulojnë shpenzimet e tyre mjekësore falë përkrahjes së shtetit. Reforma shëndetësore amerikane e kërkuar nga presidenti amerikan, mundi të kalojë me sukses edhe aprovimin e senatit i cili miratoi një tekst që i qëndron premtimeve elektorale për të mbuluar shpenzimet shëndetësore të te gjithë atyre amerikanëve që nuk ishin te siguruar. Të enjten, pas 25 ditësh të një debati të vazhdueshëm, plani i Obamës, triumfoi dhe besohet se do të kushtojë miiliarda dollarë në harkun kohor të 10 viteve. Reforma mundëson sigurimin përmes ndihmave të shtetit të shumicës dërrmuese të rreth 31 milionë njerëzve, sa janë në SHBA aktualisht të pasiguruar. Pas votimit në Senat, propozimi i qeverisë së Presidentit Obama, duhet të harmonizohet me atë të Dhomës së Përfaqësuesve, që mund të zgjatë edhe disa javë. Votimi në senat ishte mjaft i rëndësishëm për Obamën, i cili e kishte prezantuar atë si një nga prioritetet e administratës së tij.