Haradinaj: Duhen zgjedhje parlamentare
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar në një intervistë për Zërin e Amerikës se zgjedhjet për pushtetin lokal ishin një sprovë e mirë për shtetin e ri, i cili duhet të përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme, që sipas tij, duhet të mbahen vitit e ardhshëm. Haradinaj në këtë intervistë ka akuzuar pozitën se i ka vështirësuar punën opozitës - pasi sipas tij - "ka ndërhyrë në të gjitha fushat ku opozita në vend ka obligim të ushtrojë funksionet e veta" - siç është psh dominimi në Parlament, apo edhe ndërhyrjet në media. I pyetur ndërkaq, se ku qëndron zgjidhja nga kjo situatë, Haradinaj e ka vendosur theksin tek zgjedhjet parlamentare. Ai ka vlerësuar se moskryerja e mirë e punëve të brendshme, ndikon edhe ne pozicionin e Kosovës jashtë "...Kosova është shumë e interesuar për të patur pozicionimin më të mirë në arenën ndërkombëtare, për anëtarësimin në BE, në NATO, dhe anëtarësimin në OKB. Pra dalja e mirë dhe legjitime do të ishin zgjedhjet parlamentare si dhe të zgjedhurit e qytetarëve që do të jenë të përgjegjshëm për qytetarët e vendit dhe për shoqërinë", ka thënë ai. Për qytetarët e Kosovës, sipas Haradinajt, do të ishte me interes t'ju jepet mundësia të vendosin për udhëheqjen e vendit me zgjedhje. sipas haradinajt, Kosova e ka kaluar testin e parë të zgjedhjeve komunale me sfida edhe me defekte të caktuara. Vullneti i qytetarëve të vendit, por edhe i politikë vendore është për t'i dhënë impute pozitive proceseve të brendshme", shtoi Haradinaj.