Sulm vetëvrasës në Peshavar
Një sulmues vetëvrasës ka hedhur vetën në ajër në një lagje të ndërtesave qeveritare në qytetin e Peshavarit, në veriperëndim të Pakistanit, duke vrarë katër persona dhe duke dëshmuar edhe një herë aftësitë e grupeve militante për të ndërmarrë sulme, përkundër faktit se po përballen me ofensivën e ushtrisë.
Sulmi i sotëm ishte i treti brenda 48 orëve të kaluara në Peshavar dhe më i riu në valën e dhunës, si pasojë e së cilës në Pakistan që nga tetori janë vrarë së paku 500 persona.
Sulmuesit kanë ndërmarrë sulme kundër një varg shënjestrash, duke filluar që nga tregjet, e deri te postblloqet e forcave të sigurisë. Sulmi i sotëm ndodhi në një lagje mjaft të frekuentuar, në të cilën gjendet zyrat e një aviokompanie shtetërore, një shkollë publike dhe një kompani e sigurimeve, e kontrolluar nga qeveria.
Mian Hussain, ministër i rajonit për informim, theksoi se afër vendit ku ka ndodhur sulmi gjendet edhe një objekt i ushtrisë, por shtoi se nuk është i sigurt se cila në të vërtetë ishte shënjestra e sulmit.
Sulmuesi kaloi një postbllok të vendosur në rrugë dhe hodhi vetën në ajër, pasi që një polic kërkoi nga ai që të ndalet, deklaroi shefi i policisë në Peshavar, Liaquat Ali.