E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, përfundojnë negociatat, kryeministri i ri me 8 nëntor

Negociatat mes liderëve të dy partive të mëdha në Greqi për zgjedhjen e kryeministrit të Qeverisë së Koalicionit, që do ta përgatisë Greqinë për zgjedhjet e parakohshme, kanë përfunduar pak orë më parë, me akordin për emrin e kryeministrit.

Ashtu siç ishte deklaruar edhe nga kryeministri grek në ikje, Jorgos Papandreu, emri i kryeministrit të ri do të shpallet të martën në 8 nëntor, duke vënë në vend edhe kërkesën e liderëve të BE-së.

Ndërkohë, që deri në orët e drekës së të hënës, emri i mundshëm i kryeministrit të ri grek, ishte ai i Lukas Papadimos, ish-zv.presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, që kishte edhe pëlqimin e dy liderëve kryesorë të politikës greke, kryeministrit aktual Jorgos Papandreu dhe kreut të opozitës, Antonis Samaras, emra të tjerë alternativë publikohen nga mediat greke për postin e kryeministrit.

Njëri syresh, është ish-ministri i Ekonomisë dhe përfaqësuesi i tanishëm i Greqisë në FMN, Panajotis Rumeliotis, i cili duket se është edhe ky pjesë e akordit të politikës greke për qeverinë e tranzicionit.

Mediat greke bëjnë me dije se Rumeliotis është nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Greqi, duke bërë të mundshëm edhe zërat, se ai mund të jetë kryeministri i Qeverisë së Unitetit.

Mediat greke lakojnë për postin e kryeministrit, edhe emrin e Nikiforos Diamanturos, Avokati Evropian i Popullit.

Gjatë negociatave për kryeministrin, mësohet se Lukas Papadimos, i ka vënë kushte opozitës, duke kërkuar një afat më të gjatë të qeverisë së re, deri në maj, ndërkohë, që ka kërkuar po ashtu, që në kabinetin e tij të mos ketë përfaqësues nga partia më e madhe opozitare greke, “Demokracia e Re” e drejtuar nga Antonis Samaras.

Këto kushte duket se e kanë lëkundur idenë për lançimin e tij si kryeministër.

Mbrëmë kryeministri grek Jorgos Papandreu dhe lideri i opozitës, Antonis Samaras gjetën gjuhën e përbashkët për formimin e qeverisë së re të tranzicionit, pas disa orë negociatash, duke i çelur rrugën takimit me orë të zgjatura të së hënës, me krerët e partive të tjera politike, në selinë e presidencës, për të diskutuar për personin, që do të drejtojë kabinetin e ri qeveritar.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›