E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, policia ndalon aktivistët e shoqatës “Josif Bageri”

ATHINE- Policia greke ka ndaluar mbrëmë në qytetin Evzoni në Greqi, një grup aktivistësh shqiptarë nga Maqedonia të shoqatës “Josif Bageri”.
Grupi i udhëhequr nga kryetari i shoqatës, Branko Manojlovski, ishte pjesë e ekspeditës së nisur nga Vrutoku (rrjedhë e lumit Vardar deri tek Deti Egje), në një mision simbolik kundër hasmërive dhe urrejtjes mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Policia greke, pasi i mbajti disa kohë në një stacion policie në Evzoni, i ka lënë të lirë anëtarët e shoqatës në fjalë. Anëtarë të shoqatës “Josif Bageri” thanë për mediat se policët grekë kishin kërkuar edhe konfiskimin e materialeve dhe kamerës.

“Ishte veprim i pahijshëm pasi udhëheqës i grupit ishte kryetari i nderit Manojlovski, me pasaportë amerikane, dhe profesori universitar e ish-deputeti Vullnet Ademi, me pasaportë diplomatike”, theksuan përfaqësues të shoqatës “Josif Bageri”.

Ndërkohë, mësohet se lidhur me situatën ka patur reagime nga përfaqësuesit shqiptarë në institucionet qeveritare në zyrën ndërlidhëse greke në Shkup.
(Anila Jole/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›