E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrihet akordi, Samuel Eto në Rusi që të martën

MOSKE-Zhbllokohet tratativa për kalimin e Samuel Eto tek rusët e Anzhi. Bisedimet mes drejtuesve të Interit dhe emisarëve të presidentit Kerimov, kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, me gjetjen e një akordi verbal mes palëve. Në mëngjes, sulmuesi kamerunas është stërvitur rregullisht me Interin, ndërsa më pas ka drekuar me përfaqësuesit e dy klubeve. Në këtë pikë, mes të hënës dhe të martës, ai do të transferohet tek Anzhi, një klub që i ofron rrogën faraonike prej 20,5 milionë eurosh në sezon. Ndërmjetësimi i agjentit të FIFA-s Pepino Tirri si edhe përfaqësuesit të Anzhi Predrag Mijatoviç, ka çuar në zhbllokimin e tratativës, ndërsa tashmë mungon vetëm faksi i rusëve, që të konfirmojë me shkrim ofertën ndaj Interit, duke plotësuar edhe procedurat burokratike. Gjithçka tashmë është në dishezë, ndërsa sulmuesi do të firmosë një kontratë tre-vjeçare, duke u bërë edhe futbollisti më i paguar në botë. Drejtuesit e Anzhi janë duke menduar për një prezantim spektakolar të kamerunasit, që mund të bëjë debutimin që të dielën e ardhshme në transfertën ndaj Rostov. Ndërkohë, një lajm i çuditshëm ka ardhur nga Franca. Agjencia France Press ka shpërndarë një lajm, sipas të cilit Eto ka firmosur të premten në mbrëmje. Ajo publikon një deklaratë të një zyrtari të Federatës Kamerunase. “Samuel Eto ka firmosur të premten në mbrëmje një kontratë me Anzhi. Nuk ka asgjë për të shtuar në këtë histori”, ka thënë ai. Në fakt, në këtë lajm ka diçka të pavërtetë, pasi Eto nuk mund të firmosë asnjë kontratë pa u arritur marrëveshja mes dy klubeve. Pra, kamerunasi nuk ka firmosur ende edhe pse një gjë e tillë duket tashmë një punë e mbaruar.
(Altin Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›