Greqi, policia qëlloi ndaj një makine me 3 shqiptarë
Sipas policisë, përdorimi i armëve erdhi pasi makina me 3 shqiptarët nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë për të ndaluar. Ndërkohë që njëri prej pasagjerëve ka qëlluar mbi patrullën policore.
VOLLOSI - Një shtetas shqiptar ka humbur jetën gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë greke. Ngjarja ka ndodhur afër qytetit të Vollosit në Greqinë qendrore, dje në mbrëmje në orën 20 e 30 minuta, kur një patrullë policie ka ndaluar për kontroll një makinë të markës golf, me njgyrë të zezë. Makina po i drejtohej Athinës, ku dhe ndodheshin tre persona të gjithë shtetas shqiptarë.
Sipas deklaratës për shtyp të policisë greke, drejtuesi i makinës nuk i është bindur urdhrit për kontroll dhe pasi ka shtuar shpejtësinë, ka tentuar të largohet.
Menjëherë i është vënë pas grupi special i ndjekjes së policisë me dy fuoristrada. Gjatë kësaj periudhe kohore dy herë rrjesht një prej pasagjerëve të makinës së dyshimtë ka qëlluar mbi grupin e ndjekjes, por asnjë person nuk është dëmtuar.
Paralelisht janë lajmëruar forcat e policisë së rajonit të Almirusë, të cilat kanë bllokuar me makinat e tyre rrugën nga ku do të kalonte makina e dyshimtë.
Por duke mbërritur me shpejtësi të madhe makina me tre shtetasit shqiptarë pasi është përplasur me makinat e policisë ka mundur të çajë rrugën e bllokuar dhe përsëri një prej pasagjerëve ka mundur të qëllojë mbi policët grekë, të cilët edhe ata i janë përgjigjur me breshëri plumbash.
Si pasojë, një prej tre shtetasve shqiptarë ka ngelur i plagosur për vdekje. Dy shqiptarët e tjerë pasi e kanë braktisur makinën në një gomisteri në anë të rrugës, duke përfituar nga errësira e natës kanë mundur të largohen me shpejtësi në drejtim të paditur.
Gjatë kontrollit që ju bë më pas makinës së tyre, policët grekë kanë gjetur 12 pako me hashash me një peshë gjithsej prej 24 kg e 694 gram.
Menjëherë është thirrur edhe mjeku ligjor i cili ka vërtetuar vdekjen e një prej shtetasve shqiptarë, me moshë 34 vjeç, ndërsa po zhvillohen hetime nga policia e Vollosit për të zbardhur saktësisht ngjarjen, sepse nuk janë gjetur armë në vendngjarje dhe dyshohet se mos dy personat e tjerë të larguar ti kenë marrë me vete.
Ngjarja është bërë e ditur për mediat vetëm disa orë më parë, me një deklaratë për shtyp të policisë së qarkut të Thesalisë. (a.r/balkanweb)