E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, policia sekuestron 135 kg heroinë

ATHINË- Policia greke shkatërroi një rrjet të trafikimit të drogës në Athinë, duke arrestuar nëntë persona të huaj dhe duke sekuestruar 135 kilogramë heroinë në një lagje në perëndim të kryeqytetit, njoftoi sot drejtoria e policisë.
Policët arrestuan dje gjashtë sirianë të moshës 24 deri 39 vjeç, një person nga Bangladeshi 22 vjeç, një sudanez 30 vjeç dhe një shtetase rumune 27-vjeçare, të cilët trafikonin nga Turqia "një sasi të madhe heroine, që pasi e ndanin dhe e paketonin ua shpërndanin trafikantëve të tjerë në rajonin e Athinës, thuhej në një komunikatë të drejtorisë së përgjithshme të policisë së Athinës.
Nëntë personat u dërguan sot në prokurori, vazhdoi burimi.
Pas një hetimi dymujor, policët arritën të lokalizonin një rrobaqepësi që shërbente si mbulim për një laborator, ku trafikantët përzienin drogën me substanca të tjera përpara se ta paketonin dhe ta shisnin.
Sipas gjeneralit Yannis Dikopoulos, drejtor i policisë së Athinës, trafikantët mund të prodhonin 700 kilogramë heroinë nga 135 kilogramët e sekuestruar dhe të siguronin kështu një shumë parash prej më tepër se një milion euro.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›