E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vepra e Musine Kokalarit sheh dritën e botimit

TIRANË- Vepra e plotë e Musine Kokalarit, e cilësuar si vajza uragan, sheh më në fund dritën e botimit nga shtëpia Botuese Geer dhe në sajë të punës së studiuesit Novruz Shehu. Falë këtij botimi në dy vëllime të veprës së saj të plotë, ku përfshihen shkrimet e saj, librat e botuara në atë kohë, dorëshkrime, por dhe letërkëmbimet me figura të njohura të asaj periudhe, zbulohen përmasat e vërteta të kësaj gruaje të cilësuar heroike.
Në një ceremoni të zhvilluar pasditen e sotme në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku u promovuan dy vëllimet e veprës “Musine Kokalari”, studiuesi Novruz Shehu, që ka përgatitur për botim këto vëllime, e cilësoi figurën e Musine Kokalarit si një personalitet me përmasën e emblemës, si e para shkrimtare femër e Shqipërisë, si flamurtare e pluralizmit dhe sistemit demokratik, si luftëtare e emancipimit dhe mbrojtjes së femrës, si disidente brilante, më e plota dhe më e pastra.

Figura e Musine Kokalarit, e cila është një ndër vajzat intelektuale më të shquara në hartën shqipfolëse, nuk është e njohur vetëm si një politikane, por dhe si shkrimtarja e parë femër në Shqipëri. Kokalari përshkruhet nga shoqja e saj, Vitori Xhaçka, si një vajzë e shkathët, të cilës i pëlqente të jepte kontributin e saj në të gjitha fushat e jetës. Ajo kishte një karakter që të nxiste për të vepruar. Vetë Musineja, e nxitur nga një dëshirë e madhe për të ndihmuar Shqipërinë, bashkoi rreth saj një grup shokësh me iniciativën për të krijuar grupimin e parë socialdemokrat.

Studiuesi Novruz Shehu u shpreh se “botimi i kësaj vepre u mundësua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me familjen Kokalari". "Falë ndihmës së tyre kam arritur të gjej veprat, dorëshkrimet, skicat dhe poezitë e saj, të cilat janë ruajtur nga familjarët si një amanet i fundit i Musines për të shpëtuar sa të mundim nga vlerat morale". Por Shehu shprehu keqardhjen se në këtë botim mungojnë rreth 1/3 e shkrimeve të Musinesë, ku përfshihen 2 ditare dhe 1000 përralla, të cilat ruhen me fanatizëm nga familja.
Musine Kokalari u lind më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë. Në vitin 1921 familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Në vitin 1937 Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari, së bashku dhe me disa shokë të tjerë, formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944 botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›