Greqi, presidenti Papulias do të rizgjidhet në 3 shkurt
Zgjedhja e presidentit të Republikës Greke nga parlamenti njëdhomësh do të kryhet me datë 3 shkurt. Lajmi u njoftua ditën e mërkurë nga kryetari i parlamentit grek, Filipos Pecalnikos.
Kryeministri socialist, Jorgos Papandreu dhe shefi i opozitës, konservatori Adonis Samaras, konfirmuan mbështetjen e tyre për rizgjedhjen e presidentit aktual, Karolos Papulias, 80 vjeç, i vetmi kandidat deri tani.
Sipas Kushtetutës greke, presidenti zgjidhet në turin e parë të zgjedhjeve nëse ai merr votat e 200 nga 300 deputetë. Rizgjedhja e Papuliasit do të jetë veçse një formalitet, pasi dy partitë PASOK (socialiste) dhe ''Demokracia e Re'' (konservatore) numërojnë 251 deputetë. Papulias u zgjodh për herë të parë në shkurt 2005. Ai u paraqit nga kryeministri konservator i asaj kohe, Kostas Karamanlis dhe u mbështet nga Papandreu, në atë kohë në opozitë.
I lindur në Janinë, Papulias u diplomua për drejtësi në Universitetin e Athinës.
Ai ushtroi profesionin si avokat nga viti 1963 deri në 1981 dhe u emërua më pas zëvendësministër i Punëve të Jashtme nga themeluesi i PASOK-ut dhe babai i kryeministrit aktual, Andreas Papandreu.