Mrekulli në Haiti, adoleshentja shpëtohet 15 ditë pas tërmetit
Një tjetër mrekulli është regjistruar nën rrënojat e tërmetit në Haiti. Një adoleshente ka mundur të mbijetojë për 15 ditë nën gërmadhat e godinave të Porto Princit dhe është nxjerrë e gjallë të mërkurën, nga skuadrat e shpëtimit. Duartokritje dhe brohoritje gëzimi, janë regjistruar në vendin e ngjarjes, kur u mësua se vajza ishte gjallë. Vajza është gjetur në një shtëpi pranë një shkolle profesionale në kryeqytetin e Haitit, i shkatërruar thuajse totalisht nga tërmeti i fuqishëm i 12 janaritb . "Haitiania është gjetur e strukur një kënd në formë xhepi, ishte ekstremisht e lodhur, ekstremisht e dehidratuar, e shumë shumë e dobët", tregon një nga anëtarët e ekipit të shpëtimit, francezi Claude Fuilla. Ai shton më tej se nuk arrin ta kuptojë se si ka mundur të mbijetojë kaq gjatë, dhe këtë ngjarje e përshkroi si mrekulli. Vajza me emrin Darline, është rreth të 16-ve. Me aq sa mundi të flasë, ajo tha se ishte e lumtur, por e tronditur dhe qante. Pasi kanë dëgjuar klithmën e saj nën rrënoja, ekipit të shpëtimit i janë dashur rreth 90 minuta për ta nxjerrë Darlinën nga gërmadhat.