E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, pritet mirë fjala e Papadhimos, vazhdojnë debatet në Parlament

ATHINE - Një dozë të madhe shprese i ka dhënë Greqisë, fjalimi i kryeministrit të ri Lukas Papadhimos në Parlament, i cili tha se “vendi do të dalë nga tuneli i errët pas vitit 2015”.

Gjuha e qartë, e vërteta që artikuloi thjesht dhe drejtpërdrejt, mungesa e sloganeve politike, u prit shumë mirë jo vetëm nga deputetët e parlamentit në sallë, por nga gjithë opinioni publik dhe media.

Mesazhi i tij ishte i qartë edhe për partnerët evropianë të Greqisë, të cilëve ai iu drejtua duke dhënë garancinë se zbatimi i vendimeve të 26 Tetorit dhe qëndrimi i Greqisë në Eurozonë, janë prioriteti i qeverisë së tij.

Ndërkaq vazhdojnë në Parlament në ditën e dytë debatet mbi programin e qeverisë dhe procesi përfundon nesër me një votim të hapur për besimin e ndaj saj.

Diskutimi ka vazhduar nga anëtarët e qeverisë dhe deputetë, dhe në sallë ndodhej edhe kryeministri Lukas Papadhimos.

"Ne do të mbështesim punën e kësaj qeverie gjithëpërfshirëse", tha zëdhënësi i grupit parlamentar të PASOK Kristos Protopapas, i cili e cilësoi të “guximshëm” vendimin e Jorgos Papandreut për të dhënë dorëheqjen dhe për t’i hapur rrugën një qeverie të koalicionit.

Z. Protopapas tha se qeveria e re ka punë shumë serioze për të bërë, duke theksuar zbatimin e Marrëveshjes së 26 tetorit, negociatat për marrëveshjen e re të kredisë si dhe promovimin e shkëmbimit vullnetar të obligacioneve.

"Ne e kuptojmë se qeveria e re është shpresa e qytetarëve," vuri në dukje z. Protopapas, dhe tha se "në këtë moment kritik interesat partiake duhet t’i lënë vendin interesave të vendit."

"Në kulmin e krizës të shkaktuar nga qeveria e Papandreut, Antonis Samaras imponoi një qeveri që të ketë si qëllim zhbllokimin e këstit të gjashtë, nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë dhe pastaj thirrjen e zgjedhjeve" tha deputeti i Demokracisë së re, Nikos Dendias.

Deputeti i djathtë tha se qeveria duhet të ketë besimin e parlamentit, sepse vendi duhet të mbetet brenda Eurozonës dhe BE, megjithatë, ai theksoi se "pas 100 ditëve ka nevojë për një qeveri të re, qeveria e Samaras, që do të përmbushë kërkesën për social, drejtësi dhe konkurrencë."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›