E Shtunë, 31 Tetor 2026

Westervelle: Territori i Kosovës nuk vihet në dyshim

PRISHTINË- Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westervelle, është shprehur se për Gjermaninë integriteti territorial i Kosovës nuk është në dyshim.

"Për ne integriteti territorial i Kosovës nuk vihet në pyetje", tha Westervelle, pas takimit të mbrëmshëm të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Lajmi raportohet nga Radio Evropa e Lirë.

Ai më tej theksoi se, rrjedhimisht, me rastin e vendimit për dhënien e statusit apo jo të vendit kandidat për Serbinë, "do ta shqyrtojmë edhe këtë çështje" dhe shtoi se "prej atyre që dëshirojnë të hyjnë në BE presim bashkëpunim, e jo konfrontim".

Sipas tij, edhe vendet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk e venë në dyshim integritetin territorial të Kosovës dhe se edhe ato pajtohen "se konfliktet nuk mund të zgjidhen me përleshje, por me bashkëpunim".
"Unë kam qenë atje dhe e kam parë situatën", tha ministri i Jashtëm gjerman dhe shtoi se "dhunën nuk guxojnë ta mbështesin ata që dëshirojnë BE".

Sa i përketë Serbisë, Westervelle ka theksuar se në mesin e kushteve për integrim në BE, janë edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore me Kosovën.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›