Video Meta-Prifti, gjykata rrëzon prokurorinë për ekspertizën
Prokurori ka kërkuar ekspertë ndërkombëtarë për videon Meta-Prifti, por gjykata ka rrëzuar kërkesën, duke administruar si provë raportin e tre ekspertëve vendës. Dritan Prifti, dëshmitar në seancën e radhës
Tiranë Pas një seance maratonë që zgjati deri në orën 16:00 të ditës së djeshme, kolegji penal i Gjykatës së Lartë pranoi të administrojë si provë akt-ekspertimin e tre ekspertëve shqiptarë për videon Meta Prifti. Pavarësisht kundërshtimeve të prokurorit, i cili tha se ky akt nuk i plotëson kushtet dhe kriteret shkencore, trupi gjykues me shumicë vendosi të administrojë si provë akt-ekspertimin që lë të hapur mundësinë për ndërhyrje në video-përgjimin. Prokurori kërkoi riekspertim të videos, mundësisht me ekspertë të huaj, por kjo kërkesë u rrëzua pas më shumë se dy orë debatesh dhe diskutimesh mes gjyqtarëve në dhomën e këshillimit. Seanca e radhës për çështjen “Meta” nisi rreth orës 11:00 të ditës së djeshme me përgjigjen e ekspertëve për 36 pyetjet e prokurorit dhe 7 pyetjet e avokatëve. Në përfundim të përgjigjeve, prokurori kërkoi një orë kohë për t’u konsultuar me to, duke dhënë më pas edhe konkluzionet e tij lidhur me akt-ekspertimin. “Ne si organ akuze arrijmë në përfundimin se ekspertimi nuk e ka arritur qëllimin dhe ekspertët nuk e kanë realizuar detyrën që u është ngarkuar nga gjykata”- tha prokurori në nisje të konkluzioneve të akuzës. Sipas tij, ekspertët nuk i kanë dhënë përgjigje pyetjes kryesore që përbën edhe thelbin e këtij akt-ekspertimi, nëse ka ose jo ndërhyrje në videon Meta-Prifti, që sipas prokurorisë është tregues i qartë i dështimit të këtij ekspertimi. “Analizimi i videos objekt ekspertimi me mungesa të mjeteve, pajisjeve dhe më kryesorja të programeve kompjuterike shkencore e zyrtarisht të licencuara nga kompanitë prodhuese apo shpërndarëse, bën çdo përfundim të arritur nga grupi i ekspertëve të jetë i pasaktë”- deklaroi prokurori. “Edhe ‘loja’ që bëhet në këtë akt nga ekspertët me gjoja mungesën e videos origjinale e vë në dyshim vërtetësinë dhe objektivitetin e këtij akt ekspertimi. Origjinaliteti i një videoje apo fotografie mendojmë se nuk ka të bëjë me faktin nëse gjendet ose jo në kameran që e ka realizuar filmimin apo fotografimin, por me faktin që është apo jo e tjetërsuar”- tha prokurori. Më tej, prokurori sqaroi se në akt-ekspertimin nuk thuhet në asnjë paragraf se ka tjetërsim, pra ndryshim të pamjes apo të zërave të bashkëbiseduesve në videon objekt ekspertimi. “Në konkluzionet e tyre ekspertët shprehen vetëm për mundësi të madhe të ndërhyrjeve në këtë video, pa qenë në gjendje të japin asnjë fakt apo argument shkencor se dhe si është ndërhyrë në të”- u shpreh prokurori duke renditur edhe të tjera arsye përse ky akt-ekspertim nuk duhet të pranohet nga gjykata. Sipas tij, për të gjitha arsyet e përmendura, gjykata duhet të urdhërojë kryerjen e një tjetër akt-ekspertimi, mundësisht me ekspertë të huaj, specialistë të fushës. Por kjo kërkesë u kundërshtua nga avokatët mbrojtës, të cilët i thanë gjykatës se prokurori duhet të tërheqë aktet dhe të pushojë akuzën ndaj të mbrojturit prej tyre. Por edhe gjykata nuk ka mbajtur rol pasiv në këtë çështje, pasi vetëm pak momente para se të tërhiqej për vendim i ka drejtuar një sërë pyetjesh ekspertëve. Kreu i kolegjit penal, Ardian Dvorani ka pyetur ekspertët për një sërë detajesh teknike, duke marrë përgjigje nga secili prej tyre. Në fund gjyqtari Dvorani ka pyetur ekspertët: “Sa është probabiliteti i gabimit në konkluzionet tuaja?”. Të tre ekspertët thanë se me programet që ata kanë përdorur, probabiliteti që konkluzionet të jenë të gabuara është zero absolute. Më pas, kolegji penal u tërhoq për të dhënë vendimin rreth kërkesës së prokurorit për kryerjen e një tjetër akt ekspertimi. Ky vendim u mori më shumë se dy orë kohë pesëshes së gjyqtarëve, të cilët u kthyen në sallën e gjyqit vetëm në orën 15:30 për të konkluduar se ekspertimi pranohet dhe administrohet si provë. Sipas gjykatës, në seancën e ardhshme, që do të zhvillohet në datën 21 nëntor, në gjykatë do të paraqiten katër dëshmitarë të akuzës, mes të cilëve edhe ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili ka kryer regjistrimin mes tij dhe ish-zv.kryeministrit Ilir Meta.
Ekspertët: Ja pse dyshojmë se në video ka ndërhyrje
Përgjigjet e tre ekspertëve për orën regjistruese, videon tjetër të gjetur në kompjuterin e Priftit, si dhe mundësitë e ndërhyrjeve në material. Konfirmojnë mungesën e videos origjinale
Në faqen 9, thoni në pikën 1.1 germa “c” se nuk mund të provojmë nëse ora objekt
ekspertimi është mjeti me të cilin është realizuar regjistrimi i bisedës. A mendoni se,
gjithsesi, mjeti regjistrues ka qenë i instaluar në ndonjë orë, përderisa gjatë gjithë
kohës dëgjohet tik-taku i saj, apo jo?
Ne mendojmë që ekziston mundësia që mjeti regjistrues të ketë qenë orë, duke patur parasysh tik-takun që e shoqëron pistën audio gjatë gjithë kohës. Dëgjimi i tik-takut nuk provon se për regjistrimin e bisedës është përdorur orë. Për këtë duhen gjurmë të tjera, jo vetëm tik-tak.
Ju keni marrë nga ora-kamer një material filmik prej 50” në videon që gjendet në
memorien e fshehtë të orës. Për çfarë shkaku e kryet këtë veprim?
Pse nuk e bëtë këtë eksperiment duke përdorur këtë material filmik, të cilin e morët pikërisht për këtë qëllim?
Në aspektin teknik, ora objekt ekspertimi ka një memorie të vetme të tipit flash, 8Gb. Nuk ka memorie të fshehtë dhe memorie të dukshme, ka vetëm një memorie. Në këtë memorie ne konstatuam që ishte fshirë një file audioviziv me emërtimin _ICT0001.AVI dhe pjesa tjetër e memories, po ashtu e fshirë, ishte e ngopur me imazhe.
Materialit filmik të rekuperuar _ICT0001.AVI i shkëputëm një sekuencë të shkurtër, vetëm pamje e ambientit, si model krahasimi. Nuk vazhduam më tej me të dhe nuk e përmendëm në aktin e ekspertimit, sepse për ne nuk ka aspak vlerën e modelit të krahasimit. Duke qenë se te file “C:\Users\Dritan Prifti\100DSCIM\PICT0008.AVI” u gjetën anomali të pashpjegueshme teknikisht, nuk na u duk e arsyeshme ta analizonim me tej. Kjo sekuencë nuk plotëson kriteret për të qenë model krahasimi.
A do të linte gjurmë në video ndërhyrja në regjistrim, në të njëjtin lap-top? Si e
shpjegoni ju mungesën e të dhënave në këtë folder për ndërhyrje të mundshme, sepse ka vetëm një datë modifikim, atë 01.03.2010 ora 01:33pm?
Ndërhyrjet në regjistrim përgjithësisht lënë gjurmë, por jo kur kryhen nga një profesionist. Mënyrat për të ndërhyrë në një Lap-Top janë të pafundme. Konkretisht, nëse në një datë të mëvonshme, një file përpunohet në një kompjuter tjetër, i cili ka orën dhe datën që ka timestamp i videos, file i prodhuar, file do të mbajë timestampin e këtij të fundit. Për më shumë detaje, lexo përgjigjen e pyetjes 35 të këtij materiali.
Në pikën 1.5 të aktit (f.11 e tij), pyetjes nëse ka apo jo ndërhyrje në përmbajtjen audio dhe vizive në videon që përmendet në lap-top në folderin me emërtim Dritan Prifti dhe nëse po, ku konsistojnë këto ndërhyrje? I jeni përgjigjur se në mungesë të një faili origjinal në përmbajtjen audio – video të bisedës ndërmjet Metës e Priftit, në orë nga ekzaminimi u konstatua ndërhyrje dhe mbivendosje e mundshme në failin e gjetur në lap-top. A mund të na sqaroni se çfarë nënkuptoni ju me shprehjen “faile origjinal” dhe video origjinale?
Kuptimin e origjinalitetit dhe autenticitetit e kemi shpjeguar në pikën 1.18 të aktit të ekspertimit. Me file “origjinal” në rastin konkret ne kuptojmë një file “autentik”, të paprekur të cilin nuk e gjetëm në memorien e orës objekt ekspertimi. Informacionet digitale janë autentike kur merren të shoqëruar me vula digitale (p.sh. MD5 dhe SHA1 si
në rastin e klonimit që kemi bërë gjatë ekspertimit).File apo video origjinale për pyetjen në fjalë, do të quanim atë File që ka të paktën të gjitha karakteristikat e një file të realizuar me parametrat teknikë të realizuara nga komponentët elektronikë të regjistruesit objekt ekspertimi dhe nuk konstatohen anomali. Për detaje, lexo përgjigjen e dhënë pyetjes 35 në këtë material.
Në faqen 11, por edhe në atë 22 të aktit të ekspertimit, ju shpreheni për mungesë të videos origjinale “në orë”, ndërsa në faqen 23, kur jepni përkufizimin e autenticitetit dhe origjinalitetit në fushën e teknologjisë dhe informacionit, theksoni që të quhet origjinal duhet që informacioni i transmetuar nga dhënësi te marrësi, të jetë identik. A nuk janë kontradiktore këto dy qëndrime tuajat?
Absolutisht që jo. Në rastin konkret marrësi është memoria e kamerës dhe dhënësit janë mikrofoni dhe mikrokamera e orës. Nëse ne do të kishim një filmim në orë, do të krahasonim nëse materiali i gjeneruar nga kamera dhe mikrofoni do të kishte të njëjtat parametra me materialin e regjistruar në memorien e orës. Në rastin konkret memoria e orës nuk e ka filmimin Meta-Prifti, ndërsa file PICT0008.AVI ka anomali në pistën audio. Nuk ka kontradiktë, sepse kur nuk ka origjinal, nuk ka model krahasimi. Për detaje, lexo përgjigjen e pyetjes 14 të këtij materiali.
Në rast se do të kishte ndërhyrje, a do të gjendeshin gjurmë të programeve që janë përdorur për ndërhyrje?
Nëse ndërhyrja bëhet nga profesionistë, ajo nuk lë gjurmë. Ora e cila kushton disa dhjetëra euro është në gjendje që të bashkojë zërin e mikrofonit me figurën e
kameras dhe të memorizojë një filmim në memorien e saj. Me kompjutera dhe softe editimi të zërit, kjo gjë është shumë më e thjeshtë. Për detaje lexo përgjigjen e pyetjes 35 të këtij materiali.
Në këtë kuadër, a keni eksperimentuar ju tik-takun e orës në gjendjen aktuale?
Ne nuk kemi bërë eksperimente me orën, pasi nuk na u lejua nga prokuroria për shkak të një çështjeje tjetër.
A mund të jetë zhurmë nga jashtë ajo që ju quani tik-tak i tepërt?
Mundet, siç e themi dhe në pikën 21 të këtij materiali, kjo anomali mund të jetë zhurmë e jashtme, por probabiliteti që spektri i frekuencave të kësaj zhurme të jetë i njëjtë me tik-takun është shumë i vogël. Për detaje shiko përgjigjen e pyetjeve 24, 25 të këtij materiali.
Në pikën 1.11 të aktit ju jeni shprehur se shkencërisht është provuar se ka
kuptimshmëri të sinjalit audio kur raporti sinjal zhurmë mesatar dhe i pjesshëm i kalon 10 db(decibel), i cili është standard ndërkombëtar, dhe vazhdoni më pas duke thënë se zëri i z.Meta nuk ka vlerat e kërkuara prej 10 db, ai luhatet nga 3.4 në 9.2 db. (Në fakt, të njëjtën gjë thotë edhe eksperti italian i marrë nga mbrojtja). Atëherë, si e shpjegoni ju faktin se gjatë transmetimit të kësaj video, ne jemi në gjendje të dëgjojmë bisedën në një pjesë të konsiderueshme të saj?
Dëgjueshmëria dhe kuptueshmëria janë dy nocione të ndryshme. Këta janë faktorë njerëzorë që kanë lidhje me veshin e njeriut. Kuptohet që kur ne flasim për konventa është mirëpranuar që nëse zëri është i pa filtruar apo amplifikuar bëhet i kuptueshëm mbi 10dB. Kjo nuk do të thotë që kur zëri është 9.2dB apo më poshtë nuk kuptohet nga një pjesë e njerëzve, aq me tepër kur ky i fundit është i filtruar apo amplifikuar. Programet, pavarësisht nga kombësia e ekspertëve, japin të njëjtat rezultate.
34. Në pikën 1.14 ju shpreheni se është e mundur teknikisht me pajisje elektronike dhe programe të ndryshme të zhduken apo tjetërsohen pa lëne asnjë gjurmë të dhëna elektronike audio e video.
35. A mund të na thoni se cilat janë këto pajisje elektronike dhe programe kompjuterike që bëjnë të mundur tjetërsimin dhe zhdukjen pa lënë gjurmë të të dhënave audio e video?
Kur një kompjuter nuk është fizikisht i mbrojtur, por i aksesueshëm nga një profesionist, në të mund të bëhet çdo lloj ndërhyrjeje. Për këtë arsye, hetimi i një krimi informatik fillon me vulosjen digitale të informacionit (MD5, SHA1). Kur ka akses fizik, ka shumë mënyra për ta bërë të mundur diçka të tillë, që nga ndezja e kompjuterit me një live CD e deri te thjesht çmontimi i hard diskut nga kompjuteri origjinal, montimi i tij në një kompjuter tjetër dhe rivendosja e hard diskut në kompjuterin origjinal, pas ndërhyrjes. Profesionistët bëjnë të mundur ndezjen e një kompjuteri pa lënë fare gjurmë në të (psh. me sisteme Live CD Linux (qindra versione)). Profesionistët mundet të modifikojnë pa lënë gjurmë një sistem windows, të realizojnë kopjime, fshirje, modifikime të filave, përpunimin dhe rihedhjen po aty pa lënë asnjë gjurmë. Po në këtë mënyrë mund të bëhet praktikisht çdo lloj ndërhyrjeje në regjistrat e windowsit, filesystem të çfarëdo lloji, gjetje paswordesh etj. etj.
A keni gjetur ju programe të tilla të instaluara në lap-topin, objekt ekspertimi?
Jo, nuk gjetëm, por kjo nuk shpjegon nëse ka patur apo jo ndërhyrje. Për detaje shiko përgjigjen e pyetjes 35 në këtë material.