E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja te Krimet e Rënda, ikën Deda, rikthehet Sandër Simoni

SHKRUAN: Habjon Hasani 15-11-2011 12:19

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zëvendësuar dje dy kryetarët e komanduar të Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Apelit. Reagon Etleva Deda: Unë dhashë dorëheqjen, se mbaroi afati i komandimit

Tiranë Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka ndryshuar krerët e dy gjykatave në kryeqytet si dhe ka transferuar 15 gjyqtarë të tjerë në vend. Kryetarja e komanduar e Gjykatës për Krimet e Rënda, Etleva Deda, u zëvendësua dje nga gjyqtari Sandër Simoni; ndërsa kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Metush Saraçi, nga gjyqtari Alaudin Malaj. Të dy kryetarët e rinj të gjykatave do të qëndrojnë të komanduar për një periudhë kohore prej tre muajsh, kohë e nevojshme kjo për kryerjen e procedurës për zgjedhjen e kryetarëve të këtyre dy gjykatave. KLD trajtoi dje jashtë rendit të ditës dhe problemin e drejtimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, duke marrë shkas nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur javën e kaluar, lidhur me humbjen e disa provave materiale, si dhe kalimit të afatit 3-mujor të komandimit në këtë detyrë. “Për shkak të statusit të znj. Etleva Deda, si kryetare e komanduar, me propozim të ministrit të Drejtësisë, nuk u vijua me procedim disiplinor, por me kërkesë për revokim të vendimit të mëparshëm. Pas diskutimeve, u vendos revokimi i vendimit të mëparshëm për delegimin e gjyqtares Etleva Deda në krye të gjykatës, si dhe delegimin në atë funksion të gjyqtarit të kësaj gjykate, z. Sandër Simoni’,- thuhej dje në njoftimin e KLD-së. Nga ana e saj, zonja Deda është shprehur dje për MAPO-n se në fakt ajo kishte paraqitur dorëheqjen, për shkak se kishte konsumuar periudhën tremujore të komandimit. “Unë dhe kryetari tjetër i komanduar i Gjykatës së Apelit kishim dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga kjo detyrë e komanduar, pasi kishte skaduar afati tremujor që parashikon ligji për kryetarët e komanduar. Kjo është e gjitha”- u shpreh dje për MAPO-n Deda. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mbledhjen e tij të radhës trajtoi një sërë çështjesh që lidhen me mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor. Duke i konsideruar kryetarët e gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të gjykatave të apelit, si partnerë të Këshillit dhe përcjellës të zërit të tij në gjykata, u vendos që puna e inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të fokusohet në vlerësimin me procedurë të përshpejtuar të kandidatëve për kryetarë, në vendet tashmë të shpallura vakante. Përpos këtyre vendimeve, KLD-ja ka vendosur dje dhe transferimin e nëntë gjyqtarëve në rrethe në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, ndërsa pesë gjyqtarë të tjerë janë transferuar nga rrethet e tjera drejt Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës dhe një transferim ka ndodhur për në gjykatën e Kurbinit. KLD i kërkoi dje Presidentit të Republikës që të firmoste emërimin e juristit Skënder Haluca si gjyqtar në gjykatën e Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›