E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, qeveria mbyll Radio-Televizionin publik, ERT

Qeveria greke vendos mbylljen e Radio-Televizionit publik ERT.

Lajmin e bëri të ditur gjatë orëve të pasdites zëdhënësi i qeverisë greke, Simo Kedikoglu, sipas të cilit duke filluar që sonte radio-televizioni publik grek nuk do të transmetojë. Shkak janë kostot e mëdha dhe organika e fryrë.

Mbyllja e ERT do të sjellë pushimin e mbi 2850 punonjësve.

Zëdhënësi i qeverisë deklaroi se mbyllja e ERT synon ristrukturimin e radios dhe televizionit publik. Sipas njoftimit, ERT do të rifillojë në pas verës me një regjim të ri, që do të thotë me më pak punonjës dhe me shkurtime të mëtejshme pagash. "Transmetimet e televizionit publik të mbeten të hapura", thonë punonjësit, të cilët gjithashtu paralajmërojnë protesta të vazhdueshme.

Deri në rihapjen e tij qytetarët nuk do paguajnë taksën për ERT, e cila paguhej përmes faturës së energjisë elektrike.

Vendimi për mbylljen e ERT ka shkaktuar reagimin e ashpër të PASOK dhe DIMAR, të cilët kërcënojnë me largim nga qeveria.
PASOK ka deklaruar se “Në një bashkëpunim trepalësh nuk mund të operohet me veprime të njëanshme", ndërsa “E Majta Demokratike” deklaron se është pro racionalizimit, por jo për mbylljen e ERT. Nga ana tjetër SYRIZA shprehet se “ERT nuk është në pronësi të qeverisë”.

Vendimi për mbylljen e RTV publik merret teksa Trojka ka vënë në pozitë të vështirë qeverinë greke, për të plotësuar një sërë kushtesh në këmbim të këstit të ndihmës për muajin qershor. Qeveria duhet të pushonte nga puna 2000 nëpunës këtë muaj dhe 12 500 të kalojnë në rezervë deri në fund te vitit 2014.

Menjëherë pas publikimit të vendimit, punonjësit e ERT dolën në rrugë për të protestuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›