Greqi, qeveria rikaptalizon bankat?

Aksionarët e bankave greke po përballen me presionin në rritje të qeverisë për të rikapitalizuar bankat në mënyrë që Qeveria të mos përdorë paratë e taksapaguesve. Kryeministri grek Lukas Papadhimos tha se më 20 prill do tu paraqesë detajet e mbështetjes financiare nga qeveria, një ofertë në tentativë të dëshpëruar për të mbajtur bankat në duart e privatëve. Por në varësi të detajeve do të përcaktohet edhe qëndrimi i aksionarëve të bankave.
Nëse ata do të refuzojnë ofertën qeveritare atëherë shteti grek do të detyrohet t`i shtetëzojë bankat. Në skenarin më të keq, do të nevojiten 50 miliardë euro ose 25 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto Greqisë për të rikapitalizuar bankat. Kjo sasi likuiditeti është e nevojshme për të mbuluar humbjet e marrëveshjes së shkëmbimit të borxhit që shmangu falimentin e pakontrolluar të Greqisë dhe dëmtoi investitorët më të mëdhenj në bonot greke që ishin bankat vendase.
Sipas zyrtarëve ka gjasa që qeveria të kërkojë të paktë 10 për qind të kapitalit të burojë nga aksionarët e bankave që mund të kryhet nga shitja e aksioneve. Por nëse investitorët do pranojnë ofertën ajo do varet nga kushtet e marrëveshjes, ndërsa nëse do refuzojnë do përballen me shuarjen totale të pasurisë personale të investuar në banka.
Marrëveshja e shkëmbimit të borxhit imponoi humbje reale në 74 për qind të investimeve. Kjo fshiu nga sistemi bankar 22 miliardë euro, kur totali i kapitalit i bankave greke ishte sipas fondit monetar ndërkombëtar 23.8 miliardë euro. Bankat greke posedonin midis 45deri në 50 miliardë euro bono të shtetit.