E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, shkatërrohetrrjeti i trafikut të bebeve

SOFJE- Policët bullgarë dhe grekë shkatërruan sot një trafik foshnjash bullgare në Greqi. Lajmi u konfirmua nga ministri i Brendshëm Tsvetan Tsvetanov në Sofje. 
''Pesë persona u arrestuan në Varna, në lindje të Bullgarisë dhe nëntë në Greqi në këtë operacion të përgatitur që prej gjashtë muajve nga autoritetet e të dy vendeve'', bëri të ditur ministri bullgar.

Prokurori i Varnas, Vladimir Çavdarov, i cituar nga agjencia BTA, njoftoi se arrestimet janë kryer në qytetin grek Lamia, në juglindje, si dhe në tre qytete në lindje të Bullgarisë, Varna, Burgas dhe Jambol.
''Autoritetet konstatuan 14 raste ku gra shtatzëna, kryesisht me origjinë rome, shisnin fëmijët e tyre'', bëri të ditur prokurori.

Policia greke zbuloi një foshnje të ofruar për adoptim të paligjshëm gjatë një kontrolli në një banesë bullgarësh në Lamia.
Fëmijët lindnin në një spital në Lamia për t'u shitur po në këtë qytet, si dhe në Athinë, në Selanik dhe në Patra.
"Çmimi i foshnjave varej nga seksi dhe ngjyra e lëkurës", shtoi prokurori.
Një djalë kushtonte 25 000 euro për prindër adoptivë të cilët dëshironin ta shmangnin procedurën ligjore dhe një vajzë 18 000 deri 20 000 euro. Në shumicën e rasteve nënat merrnin vetëm një pjesë shumë të vogël të kësaj shume.

(e.n/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›