E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, shqiptari gjendet i vrarë e i djegur në makinë

Me shqiptarin edhe greku, viktima humbi që më 19 prill, njihej si Sotir Meta.

Viktima Fatmir Meta nga Fieri, hetohet për larje hesapesh.

Një shtetas shqiptar është gjetur dje i vrarë dhe i djegur në Greqi. Ngjarja ka ndodhur në orët e mëngjesit, në ishullin Mitilini të vendit fqinj.
Shqiptari i identifikuar me emrin Fatmir Meta, 39 vjeç, nga Fieri, u gjet pa jetë në një kamion të cilit i ishte vënë zjarri. Policia ka thënë se bashkë me shtetasin shqiptar në makinë u gjet edhe kufoma e një shtetasi grek. Emigranti shqiptar, i cili para djegies së trupit ishte qëlluar me armë zjarri, mësohet se është nga fshati Kuman i Fierit. Ka qenë era e rëndë ajo që ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve në orët e mëngjesit të djeshëm, ndërkohë që me të mbërritur në vendngjarje, policia konstatoi dy kufoma në kamionin që kishte shpëtuar pa u djegur krejtësisht si pasojë e erës dhe shiut që kanë ndaluar flakët. Sipas hetimeve të para në vendin e ngjarjes, Policia greke ka thënë se shtetasi grek që u gjet i vdekur bashkë me shqiptarin në kamion, ka qenë koleg i tij. Dy viktimat njiheshin si punëtorë ndërtimi në zonën rurale në Keramia Lesvos. Ata janë gjetur të vdekur jo shumë larg vendit ku punonin. Besohet se vrasja e tyre ka ndodhur ndërsa dy viktimat ishin nisur të ktheheshin në shtëpi. Në lidhje me mekanizmin e ekzekutimit, Policia nuk ka dhënë shumë detaje, por është bërë e ditur se vrasja mund të ketë ndodhur brenda në makinë. Aty besohet se kishin hyrë edhe autorët e ngjarjes, të cilët, për këtë arsye, i kanë vendosur flakën makinës me qëllim që të humbin çdo gjurmë të mundshme. Shtetasi grek që ka mbetur i vdekur nga kjo ngjarje mësohet se është një 30-vjeçar.
Hetimi
Dy janë pistat e hetimit të Policisë greke në lidhje me vrasjen e dy punëtorëve, njëri prej të cilëve shtetas shqiptar. Besohet se krimi mund të ketë ndodhur për larje hesapesh ndaj njërit prej viktimave dhe tjetri më pas është vrarë për të shmangur një dëshmitar. Po kështu, pista e dytë e hetimit është se vrasja mund të ketë ndodhur si pasojë e rrethanave të momentit, nga një grabitje apo nga një situatë rastësore, pjesë e së cilës janë bërë dy viktimat. Shtetasi shqiptar, i cili mbeti i vdekur nga krimi, Fatmir Meta, në ishull njihej si Sotir Meta. Ai dhe shtetasi grek punonin në ndërtim. Policia ka thënë se dy viktimat ishin raportuar të zhdukur nga familjarët në datën 19 prill 2012. Policia ka thënë se krimi besohet të ketë ndodhur që në momentin kur dy personat janë zhdukur, duke mos shkuar në banesat e tyre. Nga të dhënat e Policisë është mësuar se viktima Fatmir ose Sotir Meta jetonte në ishullin grek që prej vitit 1997. Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen e ndodhur, Policia greke tha se ka tërhequr kufomat për kryerjen e autopsisë. Nga verifikimi mjekoligjor që është bërë ka rezultuar se para djegies së trupave të dy të vdekurve, ata janë qëlluar me armë zjarri. Në lidhje me ngjarjen, policia ka kryer disa shoqërime në zonë me qëllim identifikimin e dëshmitarëve të mundshëm në lidhje me krimin. Deri dje në mbrëmje, nga ana e Policisë greke nuk jepej ndonjë informacion konkret në lidhje me autorët e masakrimit të dy punëtorëve.

Dyshimet për grabitje
Dëshmitarët i kanë thënë policisë dje se personat që u gjetën të vdekur në Greqi ishin punonjës ndërtimi në ishullin Mitilini, në Egjeun juglindor. Vrasja ka ndodhur në vendin e quajtur Shën Jani, në komunën Qeramion të këtij ishulli. Kjo zonë njihet si një prej lokaliteteve ku punojnë emigrantë, kryesisht të huaj. Nuk përjashtohet mundësia që dy viktimat të kenë pasur me vete shuma parash të marra në formën e pagesës për punën e bërë, ndërsa vrasja të kelë ndodhur për shkak të qëllimit për t’i grabitur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›