E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrohen për trafikim dy gjimnaziste, një në pranga

Policia e Lezhes

Një shoqe ndërmjetëse te djemtë. Do ti çonin jashtë për prostitucion.

Mashtrohen për martesë, tentohet trafikimi për prostitucion i dy gjimnazisteve. Pas 5 ditësh nga zhdukja e vajzave, Policia e Lezhës ka mundur të zbulojë vendndodhjen, në Shëngjin, duke vënë në pranga një 34-vjeçar dhe shpallur në kërkim kushëririn e tij, 23 vjeç. Gjithçka ka qenë një kurth i ngritur nga një shoqe e adoleshenteve, e cila bënte dhe njohjen e vajzave me personat e interesuar për lidhje serioze. Sektori Kundër Narkotikeve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë në Lezhë ka arrestuar Anton Tolin, 34 vjeç, nga fshati Balldre dhe ka shpallur në kërkim kushëririn e tij 23-vjeçar, A.Toli, nga fshati Tresh i komunës Zejmen. Ndalimi i 34-vjeçarit Anton Toli ka ardhur pasi ai është kapur në flagrancë në një nga hotelet e Shëngjinit me dy vajza, të cilat ishin denoncuar në polici si të zhdukura njëra pas tjetrës. Blutë e Lezhës ishin vënë në kërkim të dy vajzave, të cilat figuronin të zhdukura nga familjarët, dhe pas hetimeve intensive dhe në mënyrë operacionale kanë mundur të zbulojnë vendndodhjen e tyre dhe arrestimin e njërit prej personave që akuzohet se po tentonte t’i niste ato jashtë vendit.
Zhdukja e vajzave
Denoncimi i parë është bërë në Policinë e Lezhës për zhdukjen prej datës 15 prill të 18-vjeçares me iniciale A.M. nga fshati Ishull, Shëngjin, nxënëse në vitin e tretë në gjimnazin e qytetit. Ky denoncim ka alarmuar efektivat blu, të cilët janë vënë në kërkim për gjetjen e adoleshentes. Denoncimi ishte bërë në polici nga nëna e adoleshentes dhe hetimet janë kryer në fshehtësi të madhe, pasi dyshohej se mund të rrezikohej jeta e vajzës. Një fakt të tillë e ka konfirmuar vetë e rrëmbyera, e cila gjatë kohës që ishte larg shtëpisë ka mundur të kontaktojë me të atin, duke i kërkuar këtij të fundit që të mos bashkëpunonte me Policinë, pasi e kërcënonin se do ta vrisnin. Me gjithë lutjet e vajzës, denoncimi ka mbërritur në Policinë e Lezhës. Kontaktet baba-vajzë janë kryer në fshehtësi, por rrëfimet e 18-vjeçares se zhdukur nuk kanë përfunduar më aq, pasi nga biseda me të atin ajo ka bërë të ditur gjithashtu se e gjithë kjo ngjarje ishte krijuar nga një tjetër vajzë, e cila kishte njohje me të arrestuarit. Ky i fundit e kishte dhunuar disa herë, pasi kishte parë vajzën me iniciale A.M. të bisedonte fshehurazi në telefon. Së bashku me 18-vjeçaren nga Lezha, në Shëngjin është gjendur edhe një tjetër moshatare e saj, me iniciale R.S., nga qyteti i Laçit, e larguar nga shtëpia dy ditë më parë, e cila është marrë në mbrojtje nga Policia. Sipas Policisë, identifikimi i vendndodhjes së vajzave është bërë pas ndjekjes për të dyshuarën si bashkëpunëtore me djemtë. Rrugëtimi i vajzës së vëzhguar përfundonte në qytetin e Shëngjinit, duke bërë që policia të zbulojë vendndodhjen e saktë të vajzave të zhdukura.
Mashtrimi
Nga deponimet e bëra në Polici, 18-vjeçarja me iniciale A.M. ka sqaruar se ishte njohur në shkollë me vajzën e cila i kishte prezantuar të arrestuarin dhe personin tjetër të shpallur në kërkim, ndërsa hiqeshin si persona që kërkonin një martesë pas disfatave që kishin pasur më parë. Karremi i përdorur kishte funksionuar, duke e bërë për vetë adoleshenten, e cila i ka besuar shoqes. Teksa të rinjtë afroheshin çdo ditë e më shumë, kanë nisur të shfaqen edhe shenjat e para të qëllimit final të të rinjve. Problemet financiare ishin një pretekst që nxirrej për justifikim për një jetë më të mirë, gjë e cila mund të zgjidhej vetëm nga sakrifica e vajzave. Atyre u kërkohej që të udhëtonin drejt vendeve të Europës Perëndimore dhe për pak kohë mund të ushtronin prostitucion për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për jetën e tyre. Hezitimet e 18-vjeçares më iniciale A.M. kanë çuar për përshkallëzimin e presionit, duke u kërkuar që të vepronin sipas kërkesës së tyre, në rast të kundërt, vdekja ishte e sigurt për to.

Hetimet
Historia e dy vajzave ka përfunduar për mirë pas zbulimit të grupit, i cili mendohet se trafikonte femra jashtë vendi. Ato mendohet se pas largimit nga Shqipëria do t’i besoheshin një dore tjetër. Policia ka nisur një hetim të thellë në lidhje me këtë ngjarje, pasi besohet se vajza e dyshuar si ndërmjetësja në mes të vajzave dhe djemve mund ta ketë bërë këtë veprim edhe më parë, por gjithçka pritet të konkludohet nga vazhdimësia e hetimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›