E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, shtypi: Kriza po largon shqiptarët

ATHINE- Shtypi grek kohët e fundit po i lë hapësirë të konsiderueshme faktit që kriza ekonomike ka krijuar një trend largimi të emigrantëve, nga Greqia drejt Shqipërisë.

Duke u përballur me papunësinë dhe me parashikimet e zymta për të ardhmen ekonomike në Greqi, mjaft shqiptarë kanë marrë udhën e kthimit për në vendin e tyre. Shumica e atyre që janë prekur nga papunësia, punonin në ndërtim, sektor i cili ka rënë ndjeshëm në Greqi.

Sipas shtypit grek, udhëtimi i kthimit, ndryshon shumë nga ai që shqiptarët bënë vite më parë për të emigruar në Greqi. Kjo sepse tashmë me paratë e fituara gjatë viteve të punës në Greqi, shqiptarët mendojnë të hapin biznese në Atdheun e tyre ose t’i investojnë ato në pasuri të patundshme, duke shpresuar për dicka më të mirë pas kaq vitesh emigrim.

Shqipëria, për më tepër, thuhet në shkrim, është një ekonomi tregu në zhvillim e sipër dhe qytetarët e saj duan të investojnë për të.

Sipas shtypit, jo vetëm numri i makinave që kalojnë çdo ditë në pikën kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, por edhe reduktimi në masë të madhe i kërkesës së shqiptarëve për punë në Greqi, vërtetojnë më së miri trendin e kthimit të tyre.

Edhe në bujqësi e blegtori, sektorë ku punonin thuajse vetëm shqiptarë, tani janë të rrallë ata që vazhdojnë të punojnë ashtu sic ka rënë edhe numri i atyre që vinin në Greqi për të punuar vetëm gjatë sezonit të verës. Banorët e zonave të thella rurale në Greqi thonë se prodhimet bujqësore rrezikojnë të shkatërrohen, për shkak të mungesës së forcave të punës.

Ndërkohë vihet re edhe rënie e ndjeshme numrit të emigrantëve të paligjshëm, që hyjnë në Greqi, dukuri për të cilën, përvec liberalizimit të vizave, ka ndikuar edhe fakti se nuk ka më mundesi punësimi.

Shkrimi në fjalë vëren gjithashtu se gjatë kohëve të fundit janë ulur ndjeshëm edhe dërgesat e parave të emigrantëve drejt Shqipërisë, për shkak të rënies së të ardhurave të tyre në Greqi.
Sipas të dhënave të shtypit, që i referohen Bankës Qendrore të Shqipërisë, në vitin 2010, dërgesat e emigrantëve, të cilat përbëjnë 10% të PBB-së, u ulën 12% krahasuar me 2009 (690 000 000 € kundrejt 781 000 000 €).
Në fund të këtij shkrimi thuhet se kjo valë e re e lëvizjes së shqiptarëve, këtë herë jo drejt Greqisë, por me destinacion vendin e tyre, është kombinuar me rritjen e shpejtë të imigracionit të grekëve në vendet perëndimore në veçanti.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›