E Diel, 1 Nëntor 2026

Presion nga të gjitha anët, Parlamenti Evropian votoi Komisionin e ri

Komisioni i ri u votua me një shumicë të madhe
votash prej eurodeputetëve, por para tij gjenden sfida të mëdha

Bernd
Riegert 

Jose Barrosos, presidentit të ri dhe të vjetër
të Komisionit Evropian, nuk ka pse t'ia kesh lakmi. Ai ka presione nga të
gjitha anët. Shtetet anëtare të BE-së kërkojnë prej tij që të respektojë
interesat e tyre. Parlamenti Evropian e kundërshton mundësinë që ai të ketë më
shumë ndikim në marrjen e vendimeve.

Ndërkohë që 26 komisionerët që duhet të
udhëheqë Barroso paraqesin një grumbull heterogjen ish-kryeministrash,
diplomatësh, njerëzish me përvojë dhe të rinjve në Bruksel.

Deri tani Barroso ka mbajtur në rastet e
konflikteve anën e presidentëve dhe të kryeministrave të vendeve anëtare. Thënë
më shkurt: kur thërriste kancelarja Merkel, Barroso merrte qëndrim gatitu.

Me axhendën e tij ekonomike ambicioze, José
Barroso ka dështuar në përpjekjen e parë për shkak të kundërshtimit të qeverive
dhe të parlamenteve. Tani me Barroson II, mandatin e dytë në këtë post, gjërat
duhet të ndryshojnë. 

Komisioni do të afrohet më shumë me
Parlamentin dhe të shqyrtojë propozimet e europarlamentarëve për ligje të reja.
Në të ardhmen do të bëhet i mundur edhe mocioni i mosbesimit ndaj njërit prej
komisionerëve.

Marrëveshja e Lisbonës u ofron eurodeputetëve
më shumë mundësi. Por vendimet në trekëndëshin e pushtetit në Bruksel:
Parlamenti, Këshilli i Ministrave dhe Komisioni i BE-së, nuk do të
thjeshtësohen.

Shtetet anëtare kanë dërguar në ekipin e José
Barrosos jo gjithmonë njerëzit më të aftë. Portugezi konservator kishte në dorë
të përcaktonte vetëm komisionet që do të udhëhiqen prej tyre. Në këtë drejtim
ai ishte shumë kreativ: të gjithë komisionerët e mëparshëm kanë marrë detyra të
reja, me qëllim që të mos marrin kompetenca dhe fuqi tepër të madhe.

Komisionet janë të ndara në mënyrë të tillë sa
që shpesh mund të priten konflikte, ku Barroso mund të ndërhyjë dhe të dëshmojë
fuqinë e postit të tij. Barroso siguron kështu pushtetin e vet, forcon sistemin
presidencial, që vërehej edhe në mandatin e tij të parë.

Vendimet e komisionerëve nuk do të merren në
kolektiv. Konfliktet duhet të zgjidhen para seancave të Komisionit, që është
ndoshta edhe receta e vetme për të udhëhequr grupin e 27 komisionerëve.

Problemi kryesor i Komisionit është madhësia e
tij. Për shumë politikanë nuk do të ketë detyra të mjaftueshme. Prandaj disa
komisione dhe drejtori, që deri tani kanë qenë bashkë, tani janë ndarë.

Është shumë e mundur që gjendja në të ardhmen
të përkeqësohet e jo të përmirësohet, sepse me pranimin e vendeve të reja në BE
do të shtohet edhe numri i komisionerëve. Kjo dikur do të hakmerret, sepse në
të ardhmen mund të kemi edhe 30 apo 35 komisionerë. Qeverisja e Komisionit do
të jetë shumë e vështirë, sepse fuqia e nëpunësve do të rritet edhe më shumë.

Kërkesat ndaj komisionerëve janë zvogëluar. Më
parë ata duhej të dinin anglishten dhe frëngjishten, ndërsa tani mjafton gjuha
amtare. Komisioneri gjerman Günther Oettinger, me njohuritë modeste të
anglishtes, nuk është i vetmi. Për komisionerët e rinj nuk do të thotë se
Brukseli do të jetë një qorrsokak. Disa prej tyre mund të bëjnë karrierë që më
pas mund të përfundojë me postin e presidentit në vendin e tyre, si në rastin e
presidentes së Letonisë Dalia Grybauskaite. Gati pesë vjet me radhë ajo ishte
komisionere për buxhetin e BE-së. /DW/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›