E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, sindikatat shtyjnë grevat për shkak të hirit vullkanik

Sindikata e kontrollorëve ajrorë grekë, EEEKE, njoftoi shtyrjen e një greve të parashikuar për më 22 dhe 23 prill për të mos keqësuar situatën e bllokimit të trafikut ajror nga reja e hirit vullkanik.
"Duke parë situatën, nuk duam t'u shtojmë telashe pasagjerëve", i deklaroi AFP-së presidenti i EEEKE-s, Angjelos Sotiropulos. Sotiropulos u shpreh se sindikata do të vendosë më vonë për një datë tjetër për grevën. Kontrollorët ajrorë kishin vendosur për këtë grevë 48-orëshe javën e kaluar në shenjë proteste kundër politikës së masave të rrepta ekonomike të qeverisë dhe riorganizimit të shërbimit të aviacionit civil.
Kjo grevë, që do të përkonte më 22 prill me një grevë të re të punonjësve të sektorit publik kundër masave të rrepta të qeverisë, do të sillte mbylljen e aeroporteve të vendit.
Qeveria greke u ka imponuar shtetasve të saj masa shumë të rrepta ekonomike për shkak të një deficiti publik kolosal që e çoi Greqinë në prag të falimentimit buxhetor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›