E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakistan, 23 viktima nga një shpërthim me bombë



Ka shkuar në 23 persona të vrarë bilanci i një sulmi me bombë në një treg të Peshauarit, në veri-perëndim të Pakistanit. Shpërthimi i bombës ndodhi në kohën kur në afërsi të tregut të Peshauarit disa anëtarë të Jamaat-i-Islami po organizonin një protestë për të kundërshtuar disa masa të qeverisë të cilat kishin të bënin me heqjen e energjisë elektrike. Imran Kishwar, një oficer i policisë në Peshauar pohoi se përveç 23 viktimave, rreth 29 persona të tjerë protestues kanë mbetur të plagosur nga sulmi i fuqishëm me bombë. Mëngjesin e të hënes, në një tjetër atentat mbeti i vrarë një fëmijë 8 vjecar, i cili sapo kishte dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë kur shpërtheu bomba. Sipas autoriteteve lokale, shpërthimi plagosi 10 persona të tjerë, kryesisht prindër të fëmijëve që ishin mbledhur para shkollës. Burimet shtojnë se objektiv i atentatit ka qenë pikërisht shkolla private, në të cilën mësojnë fëmijët e punonjësve të policisë. Muajt e fundit militantë islamikë i kanë shtuar sulmet e tyre duke protestuar në këtë mënyrë aleancën e qeverisë pakistaneze ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto sulme kanë qenë kryesisht të lokalizuara në qytetin e Peshaurit, një zonë e cila mendohet të jetë një bazë e fshehur e talebanëve, duke pasur parasysh edhe pozicionin gjeografik të qytetit i cili ndodhet në kufi me Afganistanin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›