E Shtunë, 31 Tetor 2026

Temperaturat e larta shkaktojnë viktimën e parë



Vala e temperaturave të nxehta që ka përfshirë vendin tonë ka shkaktuar probleme shëndetësore te një pjesë e mire e popullsisë, si dhe ka regjistruar viktimën e parë. Temperaturat e larta kanë goditur gjithashtu Gadishulin e Ballkanit dhe gjithë Evropën, duke regjistruar disa viktima. I nxehti përvëlues duket se do të vazhdoj duke rrezikuar dhe jetën e personave me probleme shëndetësore. Në vendin tonë temperaturat e larta shkaktuan viktimën e parë vetëm 3 ditë më parë në një plazh në Durrës. Viktimë e vapës u bë një 51 vjeçar që po pushonte në plazhin e Fllakës. Sipas mjekeve, Kadri Elezi ka pësuar infarkt për shkak të vapës së madhe. Temperaturat e larta kanë bërë që 51-vjeçari të humbi ndjenjat gjatë kohës që po qëndronte në breg të detit. Edhe pse është dërguar me urgjence në spital, pushuesi nuk ka mundur të mbijetojë. Temperaturat e larta rrezikojnë të rrisin numrin e viktimave në vendin tonë, ndërkohë që meteorologët bëjnë të ditur se temperaturat e larta që kanë mbërthyer këto ditë vendin, do të vazhdojnë. Sipas tyre, në ditët në vazhdim temperaturat do të rriten të paktën edhe me 2 gradë celsius. Mjekët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të jenë sa më të kujdesshëm e të shmangin pasojat që mund të sjell ky mot përvëlues që ka pushtuar vendin tonë, vendet e gadishullit të Ballkanit dhe gjithë Evropën.
Ballkani Temperaturat e larta kanë goditur gjithë Gadishullin Ballkanik, i cili është përfshirë nga një valë vërtetë e nxehtë, ku janë regjistruar temperatura deri 40 gradë Celsius. Në Greqi moti i nxehtë ka përfshirë vendin, gjatë kësaj jave dhe fundjavës temperatura ka shkuar rreth 40 gradë Celsius. Nga raportimi i mediave të huaja mësohet se një numër i madh i popullatës, në ditët e kaluara shpëtimin nga vapa e kërkuan në plazhet e Greqisë. Sipas meteorologëve grekë, në Athinë sot temperatura do të arrijë 37 gradë Celsius. Vala e nxehtë ka përfshirë gjithashtu Turqinë. Temperaturat e larta nuk e kanë kursyer as Stambollin. Vala e nxehtë dhe temperaturat e larta kanë goditur edhe Bullgarinë. Në Sofje sot do të jetë 35 gradë, ndërsa qyteti më i ngrohtë në Bullgari është Plovdivi, ku zhiva në termometër afrohet deri 40 gradë. Po kështu probleme me temperaturat e larta ka pasur në Rumani, ku autoritetet po ndërmarrin masa për kujdesjeje, sepse shumë qytetarë përballen me probleme. Gjatë dy ditëve të fundit temperaturat në këtë vend kanë lëvizur deri 37 gradë, ndërsa më rëndë të goditura janë pjesët verilindore të vendit.
Viktimat
Vala e nxehtë ka përfshirë gjatë gjithë kësaj jave Evropën. Temperaturat e larta po shkaktojnë probleme shëndetësore në veçanti te të moshuarit dhe fëmijët. Autoritetet në Moskë njoftojnë se dy persona kanë humbur jetën nga sulmi në zemër, për shkak të temperaturave të larta. Instituti Meteorologjik i Moskës ka regjistruar temperaturën prej 33 gradësh, që është më e larta në historinë e këtij qyteti. Temperatura të larta kanë goditur pjesën më të madhe të Evropës. Kështu që nga Urali në Rusi e deri në perëndim të Gjermanisë njerëzit po përpiqen në mënyra të ndryshme të gjejnë shpëtim nga nxehtësia. Që problemi të jetë edhe më i madh, kompania gjermane e hekurudhave “Deutsche Ban” ka pasur gjatë këtyre ditëve probleme të mëdha me punën e kondicionerëve në trena, duke bërë që dhjetëra udhëtarë të kalojnë orë të tëra në temperaturat prej 50 shkallë Celsius.

I nxehti afrikan në vend do të vazhdojë edhe në fundjavë

Temperaturat e larta që kanë mbërthyer këto ditë vendin, do të vazhdojnë. Meteorologët bëjnë të ditur se edhe në ditët në vazhdim temperaturat do të rriten të paktën edhe me 2 gradë celsius. Ndërkohë që në fundjavë pritet të ketë reshje lokale verilindore, juglindore e vendit dhe pak në pjesën qendrore, konkretisht në Elbasan. Të dielën dhe në ditët në vazhdim do të vazhdojë sërish vapa përvëluese ku temperaturat nuk do të jenë nën 35 Gradë Celsius në bregdet. Temperaturat do të vazhdojnë të jenë të larta edhe në zonat ku do të jetë rreshke lokale. Moti i nxehtë e me temperatura të larta duket se do të vazhdojë gjatë në vendin tonë. Temperaturat më të larta me 37 gradë celsius u shënuan dy ditë më parë në qytetin e Tiranës dhe Durrësit. Meteorologët kanë bërë të ditur se temperaturat e larta do të vazhdojnë ditën e diel dhe në vazhdim ku pritet që temperaturat të rriten me nga 2 Gradë Celsius.

Mjekët këshillojnë, si të ruheni nga temperaturat e larta

Mjekët këshillojnë qytetarët që të jenë shumë të kujdesshëm në këto ditë shumë të nxehta vere. Temperaturat gjatë këtyre ditëve kanë shënuar mbi 35 gradë celsius duke shkaktuar një sërë problemesh shëndetësore tek qytetarët. Sipas mjekëve, qytetarët duhet të evitojnë qëndrimin me orë të zgjatura në diell, sidomos, kategoritë e personave që nuk mund të përballojnë dehidratimin që shkaktohet nga këto temperatura të larta. Mjeku i Qendrës Shëndetësore “Studeni”, Pëllumb Pepi këshillon të gjithë të moshuarit dhe fëmijët të shmangin daljen pas orës 11.00 deri në orën 16.00. Njerëzit e të gjitha moshave që dalin gjatë orëve kur rrezatimi i diellit është shumë i lartë duhet të marrin sa më shumë masa mbrojtëse. Për të shmangur rrezatimin e fortë dhe temperaturat e larta qytetarët duhet të mbajnë kapele, çadra dielli, syze dhe të vishen sa më lehtë. Një mënyrë tjetër për të shmangur dehidratimin që shkaktohet nga temperaturat e larta është konsumimi i sa më shumë lëngjeve. Sipas mjekut Pepi, vend të parë zë konsumimi i sa më shumë lëngje frutash sepse përmbajnë kripëra, në mungesë të tyre mund të përdoret për konsum vetëm ujë. Njeriu ka nevojë normalisht 1.5 deri në 2 litra uji në ditë që i merr në formë lëngjesh dhe nga ushqimet. Në këto ditë shumë të nxehta, sasi e lëngjeve që duhet të konsumohet duhet të dyfishohet. Moshat më të prekura nga problemet që shkaktojnë temperaturat e larta, janë fëmijët nën moshën 5-vjeç, sepse humbasin sasi të mëdha lëngjesh dhe kripërash që çojnë në dehidratimin e trupit. Edhe të moshuarit duke pasur parasysh edhe problemet shëndetësore që ata kanë probleme më temperaturat shumë të larta, pasi e kanë të vështirë të përballojnë dehidratimin që shkakton moti shumë i nxehtë. Probleme nga temperaturat e larta shkaktohen edhe te të gjithë të sëmurët kronikë, që vuajnë nga zemra, veshka dhe diabeti.

Bashkia e Tiranës, së shpejti 5 kopshte dhe 6 çerdhe të reja

Bashkia e Tiranës do të ndërtojë 5 kopshte dhe 6 çerdhe të reja për fëmijët e kryeqytetit. Sipas kreut të Bashkisë Rdi Rama, “privatizimi dhe kompensimi i disa pronave të cilat mund të shërbejnë për ndërtimin e kopshteve, çerdheve por edhe hapësirave të tjera si kënde lojërash ul mundësinë për të ofruar shërbime publike”. Ndërtimi i çerdheve dhe kopshteve të reja ishte premtimi që kryetari Edi Rama, bëri gjatë një takimi me edukatorët e çerdheve dhe të kopshteve publike në Tiranë. Rama u shpreh, se për t’iu ardhur në ndihmë familjeve të Tiranës të cilët punojnë edhe gjatë verës janë marrë masa që gjatë këtyre muajve çerdhet të rinë hapur. Ndërtimi i 5 kopshteve dhe 6 çerdheve të reja publike është një tjetër projekt i nisur nga Bashkia e Tiranës. Në këtë takim Rama apeloi kundër politikës qeverisëse në sektorin e privatizimeve. Është mundësia edhe për më shumë se kaq, për të tjera hapësira. Ne kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë kërkesa insistive që të na jepen këto terrene në dispozicion dhe ndeshemi në mënyrë të vazhdueshme me politikën e privatizimeve dhe tjetërsimeve të pronave publike” tha Rama. Për fëmijët me aftësi të kufizuara apo ata që i kanë prindërit e divorcuar shërbimi në kopshtet dhe çerdhet publike është falas ndërsa familjet që kanë dy ose më shumë fëmijë në kopshte paguajnë 50 për qind më pak.

19 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›