E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, vendimi i BE, konsensus ose zgjedhje

ATHINË- Zhvillime politike në Greqi mund të ndodhin me shpejtësi pas të mërkurës në samitin e Brukselit, ku pritet të merret vendimi përfundimtar mbi masën e prerjes së borxhit grek.

Sipas deklaratave nga zëvendëskryeministri dhe Ministri i Financave Evangelos Venizelos, çdo marrëveshje që do të arrihet në Bruksel, duhet të ratifikohet nga parlamenti grek me një shumicë të gjerë.

I pyetur nga gazetarët në Bruksel, Venizelos tha se "qeveria konsideron se çështje të tilla duhet të trajtohen me një ndjenjë të madhe përgjegjësie dhe për këtë arsye Parlamenti duhet ta kalojë nëse është e mundur me një shumicë të gjerë, jo vetëm se është ligjërisht e nevojshme, por sepse votimi për këtë cështje është domosdoshmëri kombëtare dhe përgjegjësi politike".

Kjo do të thotë se nëse qeveria dërgon marrëveshjen në Parlament dhe kërkon 180 vota për miratimin e saj, mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme, duke pasur parasysh qëndrimin e partisë së Antonis Samaras, Demokracia e Re.

Në thelb, me këtë deklaratë të Venizelos, qeveria bën përgjegjëse për të ardhmen partinë Demokracinë e re: - Ose do të jeni dakord me vendimin, ose të merrni përgjegjësine për zgjedhje të parakohshme në vend, në këtë situatë.

Zgjedhja e vështirë, duket se ka të të bëjë me kërkesën e huadhënësve, për të cilët është e rëndësishme të dine, se "kush do ta zbatojë marrëveshjen."
Dje ministri i Financave Evangjelos Venizelos pati një bisedë telefonike me kryetarin e partisë Demokracia e Re, Antonis Samaras, të cilin e informoi me zhvillimet e fundit në rang europian. Në këtë kuadër ministri i Financave informoi edhe të gjithë krerët politikë të vendit. Në vazhdimësi të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe me bankierët grekë.

Venizelos do të marrë pjesë në Bordin Eurogrupit, e cila do të zhvillohet përsëri sot në Bruksel për të përgatitur takimin e nesërm.
Ndërkohë publiku në Greqi është duke pritur me ankth vendimin e nesërm të Samitit të BE, që tashmë thuajse ka dalë në dritë dhe ka të bëjë me prerjen e borxhit grek. I panjohur mbetet vetëm fakti se në c’masë konsiston kjo prerje.

Në përpjekje për të kuptuar pasojat negative ka “qethja” e borxhit grek të miliardave, njerëzit janë të zhgënjyer nga fakti që besuan se me reformat e ashpra do të shpëtonin nga situata të tilla, por fundi nuk duket shumë shpresëdhënës.

Ndërkaq punëtorët vazhdojnë me reagimet e tyre, duke lënë punën në shenjë proteste. Dje ishte një grevë e punonjësve të portit që paralizoi cdo lëvizje në det, ndërsa sot janë në grevë 24 orëshe punonjësit e transportit publik
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›