E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët kujdesen më shumë për makinat, sesa për shëndetin e tyre

Tiranë Mjekët shpesh na drejtohen: “Mos ejani tek ne kur jeni në gjendje të rëndë. Kujdesuni paraprakisht, kryeni kontrolle mjeksore edhe kur konstatoni një problem të vogël, pa e lënë atë të bëhet shqetësues”. Por a veprojmë ne kështu, apo i drejtohemi mjekut kur sëmundja e ka bërë punën e saj?

Hiç fare nuk kujdesemi për shëndetin, kur kemi ndonjë dhimbie ia fusim me Aulin në farmaci, pa u konsultuar me mjekun fare” - shprehet Mimeko Shino duke dalë nga QSUT ja. Në vend që t’i drejtohemi mjekut, ne shpesh themi: “Hë se do të kalojë, është nga koha, e kam nga lodhja, nga stresi etj.

S`kam kohë, s`kam asgjë, thjeshtë lodhja, stresi, këto dhe shumë justifikime të tjera përdoren nga shqiptarët për të evituar kontrollin tek mjeku. Gjë kjo, që i duket normale vetëm kur ndiejnë se nuk mund të vazhdojnë ta kalojnë me një justifikim apo një qetësues në farmaci, por ka ardhur koha të marrin vesh se çfarë po ndodh me to.

Por a është vetëm indiferentizëm i yni ndaj shëndetiti tonë? Qytetari Flamur Ahmeti, ndërsa futet i nervozuar në QSUT thotë: Ke frikë të shkosh të vizitohesh se nuk ta var njeri. Bëra një analizë dhe doli në rregull, kur unë në fakt kam problem, dhe e ndiej që s`jam mire.

Kemi probleme ekonomike, s’kemi ti paguajmë vizitat. Lekët s`na mjaftojnë për vizita e ilaçe, kështu që nuk vete, ose vete vetëm kur jam vërtetë shumë keq. Pastaj pse të vete te mjeku? Siç ju thashë, vajta bëra analiza dhe më thanë se isha mirë, ndërkohë që unë ndihesha keq.  Mu desh të bëja kontrolle të ndryshme për të zbuluar problemin që kisha –  shtoi Ahmeti.

Problemet financiare dhe neglizhenca e shqiptarëve janë faktorë kryesorë që shpesh çojnë në përkeqësimin e sëmundjeve të ndryshme, dhe shpesh i marrin jetën shumë qytetarëve.

Mjekët: Pacientët vijnë kur sëmundja ka agravuar

Lidhur me çështjen Eral Myrto, mjek në repartin e kardiologjisë tha për Gazetën IDEA se shqiptarët duhet të mesohen me kulturën e vizitës te mjeku, dhe jo të kontrollohen vetëm kur e ndjejnë se nuk mund ta përballojnë më dhimbjen me një qetësues.

Sa kujdesen shqiptarët për shëndetin e tyre?

Me keqardhje mund të them se shiptarët nuk kujdesen për shëndetin e tyre, pasi  vizitohen vetëm kur sëmundja është agravuar dhe ndiejnë se nuk mund t`ia dalin më me një qetësues

Kur vijnë shqiptarët të vizitohen?

Askush nuk vjen kur janë shfaqur simptomat e para, vijnë vetëm kur sëmundja e ka bërë gjysmën e punës.

Si ju duket raporti mjek pacient?

I mirë deri në momentin kur i jep recetën e ilaçeve, pasi shpesh e refuzojnë pirjen e tyre

Pse ndodh kjo?

Ka faktorë të ndryshëm që ndikojnë. Së pari, është gjendja ekonomike.

Si veprohet me ato pacientë që nuk kanë mundësi financiare për të blerë medikamente?

Ne ilaçet i japim kur i kemi, por kur mungojnë i japim një recetë. Por kur pacienti nuk është në kushte të mira ekonomike i japim një recetë me ilaçe me çmime më të përballueshme, por që janë cilësi pak më e dobët. Nuk kemi si të veprojmë ndryshe.

Çfarë mendoni se duhet bërë për të parandaluar sëmundje, kurimi i të cilave kërkon kosto të larta financiare?

Duhen qëndra diagnostike pa pagesë, gjë kjo që do ndihmonte në parandalimin e sëmundjeve. Sepse kur pacientët  s`kanë para, s`bëjnë grafi dhe përkeqësohen duke ardhur këtu me një gradë të avancuar të sëmundjes.

Myrto shtoi gjithashtu se konstaton mungesë informacioni tek shqiptarët për të kuptuar sëmundje të ndryshme, dhe neglizhencë për tu kujdesur në mënyrë sistematike për shëndetin e tyre.

Batuta e një mekaniku, se ne shqiptarëve nuk na zë gjumi pa e gjetur se nga i vjen zhurma motorrit të makinës, ndërsa kur na bën shurmë koka, nuk shkojmë të vizitohemi, duket se është mëse reale.

Erisa Sallaku / IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. Në Luginë vazhdon regjistrimi, pa shqiptarët
  2. Barabarët që po sulmojnë tokën e tyre
  3. SKANDAL me makinat e vjetra, qeveria bën ligjin pasi është ndërtuar biznesi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›