E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshëngritje, trajneri Zef Kovaçi përjashtohet nga Botërori

TIRANE- Trajneri i njohur i peshëngritjes shqiptare Zef Kovaçi nuk do të marrë pjesë në kampionatin botëror që do të zhvillohet këto ditë në Francë. Ai është lënë jashtë listës së delegacionit kuqezi edhe pse është trajneri i një prej shtangistëve më të mirë të vendit, Erkand Qerimajt.

Ky i fundit do të jetë në Botëror pa mbështetjen e tij kryesore dhe këtë vendim të kryesisë së FSHPsë, Kovaçi e quan absurd. Sipas tij, presidenti Esat Ademi ka sjellë në krye të ekipit kombëtar të peshëngritjes një ish-oficer, që nuk njeh as sportistët dhe as cilësitë e tyre. "Dua ta pyes z.Ademi se me kë i ka marrë ai medaljet deri më tani, - thotë Zef Kovaçi. - Marrjen e ktij trajneri unë e quaj pjesë e manovrave të Federatës.

Nuk e di se si mund të garojë Qerimaj pa trajnerin e tij në Botëror?", shton tekniku. Kryesia e Federatës së Peshëngritjes ka vendosur që të lërë jashtë të gjithë trajnerët vendas për evenimentin që zhvillohet pas pak ditësh në Francë. Ky vendim është argumentuar me idenë se në këtë aktivitet synohen medalje. "Mendoj se kjo është një hakmarrje për ata sportistë që një vit më parë shkuan deri te Kryeministri për të protestuar, - akuzon Zef Kovaçi. - Qerimaj nuk u ngrit në atë protestë për vete, pasi i kishte marrë shpërblimet, por për shokët.

Tani ata duan t'i rrezikojnë karrierën e shëndetin Erkand Qerimajt. Komisioni Teknik i KOKSH-it u skandalizua kur mori vesh vendimin e kryesisë. Thonë se kanë probleme financiare, por ne çojmë dy vetë në Kongresin Botëror, ndërsa të gjitha federatat e tjera çojnë nga një. Madje, të tjerët shkojnë në datën 3 nëntor, kurse drejtuesit e federatës sonë që në datën 1", shton më tej trajneri i Qerimajt.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›