E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, vritet i riu për disa mesazhe në facebook

KORFUZ- Vritet me thikë një shqiptar 17-vjeçar në një përleshje me bashkatdhetarët e tij në ishullin e Korfuzit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21: 30, në qendër të Korfuzit, pranë Bankës Kombëtare, ndërsa sheshi ishte i populluar plot me turistë që panë skenën e përgjakshme.

Mësohet se të rinjtë shqiptarë, u grindën me njëri-tjetrin dhe njëri prej tyre goditi me thikë 17-vjeçarin nga Saranda, duke e plagosur rëndë. Adoleshenti u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetojë.

Dëshmitarët i thanë policisë se ishin një grup të rinjsh prej 6 vetësh, 5 djem dhe një vajzë, nga 16-18 vjec, të ndarë në dy grupe, që u përleshën me njëri-tjetrin.

Sipas dëshmive të njëjta, një nga të rinjtë nxori thikën dhe plagosi 2 vetë, njërin prej të cilëve shumë rëndë. Ky i fundit ra pa ndjenja në trotuar dhe u dërgua në spital, por nuk mundit të mbijetojë. Më pas, autori i krimit bashkë me vajzën u përpoqën të iknin.

Policia tha se shkak për konfliktin u bënë disa mesazhe që viktima dhe autori i krimit kishin shkëmbyer në facebook me vajzën dhe takimi ishte bërë për të sqaruar situatën.

Policia ka arrestuar një nga të rinjtë si bashkëpunëtor në vrasje, ndërsa të tjerët që u ndaluan mbrëmë, u lanë të lirë dhe është në kërkim të djalit që qëlloi me thikë dhe vajzës që iku bashkë me të. Për ciftin, po ushtrohen kontrolle të rrepta në portin e Korfuzit, me qëllimin që të mos e lejojnë të largohet drejt Shqipërisë.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›