E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana bën “harakiri”, disfatë në Sllovaki: Bardheblutë humbin 3-1 me Tërnavën

Tirana është eliminuar nga Europa League, pas një disfate 3-1 të pësuar mbrëmë në Tërnava të Sllovakisë nga Spartaku vendas.

Në një ndeshje ku mendohej se bardheblutë mund të bënin surprizën, gjithçka ka shkuar për ters, sidomos në pjesën e dytë. Një gol i Gilman Likës në minutën e 22-të, pas një goditjeje dënimi, krijoi idenë se Tirana do të kalonte në turin tjetër, për shkak se skuadrës sllovake i duhej të shënonte dy gola.

Megjithatë, pjesa e mbetur e lojës ka qenë një makth edhe pse Spartak Tërnava nuk është një ekip që ka shumë diferencë nga bardheblutë. Një rol të rëndësishëm edhe këtë herë ka patur mentaliteti i skuadrave që ishin përballë, por edhe fakti se Tirana kishte në përbërjen e saj shumë elementë të rinj.

Në fund, rezultati 3-1 ka kaluar në turin tjetër ekipin sllovak, që do të përballet tashmë me Levskin e Sofjes.

Tirana e ka nisur ndeshjen e mbrëmshme në mbrojtje, duke qëndruar pasive në shumë aksione, ndërkohë që vendasit kanë sulmuar në mënyrë të rrezikshme, duke krijuar disa raste të mira përpara portës së Iljon Likës.

Minuta e 22-të sjell avantazhin e bardhebluve, pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Gilman Lika dhe që përfundoi në rrjetë. Vendasit barazuan me Tomaçek 4 minuta para fundit të pjesës së parë, duke u rifutur në lojë.

Ndërkohë, dominimi i Spartak Tërnavës në pjesën e dytë ka qenë i dukshëm. Malçarek kaloi sllovakët në avantazh në minutën e 66-të, ndërsa llogaritë u mbyllën nga Tomaçek 5 minuta para fundit.

(a.h/A.LATIFI/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›