Greqi, vritet me thikë emigranti shqiptar

EKZEKUTIMI/ Dyshohet se ngjarja e ndodhur në Athinë ka për autor vëllanë e të dashurës greke të 22-vjeçarit
Pritet që trupi i të riut të mbërrijë sot në qytetin e Kukësit, ndërsa nuk ka ende informacion për kapjen e autorit
Kukës - Një emigrant 22-vjeçar nga Kukësi ka mbetur i vdekur pas një goditjeje me thikë në zemër nga një qytetar grek, pasi ky i fundit i kishte kërkuar shqiptarit që të tërhiqej nga një lidhje dashurie që kishte me motrën e tij. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit, të cilët janë të informuar për ngjarjen kanë bërë të ditur për "Shekulli"-n se është vrarë me mjete të mprehta (thikë) në Athinë emigranti shqiptar nga Kukësi Renato Islam Krasniqi, 22 vjeç. Të njëjtat burime saktësojnë se nga informacionet e deritanishme rezulton se vrasja e emigrantit shqiptar dyshohet të ketë për autor një shtetas grek. I riu 22-vjeçar nga qyteti i Kukësit ishte emigrant në Greqi dhe ishte i vendosur në kryeqytetin Helen, Athinë. Gjatë qëndrimit në Athinë, Krasniqi është njohur me një vajzë greke me të cilën ka rënë në dashuri. Por familja e vajzës nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Ata i kanë bërë presion vajzës, e cila nuk ka pranuar të hiqte dorë nga lidhja me 22-vjeçarin shqiptar. Pasi kanë ndeshur në këtë reagim, prindërit kanë thirrur për ndihmë djalin e tyre që ishte emigrant në Angli. Vëllai i vajzës pas njoftimit të prindërve, ka udhëtuar nga Londra për në vendlindjen e tij Athinë ku është takuar me shqiptarin dhe i ka kërkuar këtij të fundit që të heqë dorë nga lidhja me motrën e tij.
Por emigranti shqiptar duke qenë i dashuruar me vajzën greke dhe duke parë edhe rezistencën e kësaj të fundit për të mos u dorëzuar nuk është tunduar edhe përballë presionit të vëllait të së dashurës. Dy të rinjtë kanë ashpërsuar tonet ndaj njëri-tjetrit, ku në grindje e sipër greku e ka goditur emigrantin shqiptar me thikë në zemër duke i shkaktuar atij vdekjen. Nuk dihet nëse policia greke ka kryer arrestimin e shtetasit të tij për krimin e kryer ndaj emigranit shqiptar. Babai i emigrantit të vrarë është paraqitur në policinë e Kukësit ku ka kërkuar ndihmën e këtij organi që të ndikojë në radhë të parë për sjelljen e trupit të pajetë të djalit për t'u varrosur në vendlindje, ndërkohë që ka kërkuar edhe ndëshkimin e autorit të vrasjes. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit kanë bërë të ditur se trupi i pajetë i emigranit të vrarë do të sillet në vendlindje ditën e shtunë.
22-vjeçari Renato Krasniqi mësohet se është ekzekutuar në rrugën "Pratinu" në lagjen "Pagrati" të Athinës. Sipas policisë, trupi i 22-vjeçarit u gjet i pajetë në korridorin e pallatit ku ai banonte prej fqinjëve të tij. Policia, që mbërriti menjëherë në vendngjarje, tha se viktima kishte në trup disa plagë të shkaktuara nga një mjet prerës, ndoshta thikë. Ndonëse krimi ndodhi rreth orës 20:00 sipas orës lokale, askush prej banorëve të pallatit nuk pa ose dëgjoi diçka të pazakontë. Fqinjët thanë jashtë kamerave se i riu i ekzekutuar kishte pak kohë që kishte marrë me qira një banesë në rrugën "Pratinu" dhe se ai nuk komunikonte pothuaj fare me banorët e tjerë të pallatit. Fqinjët thanë se bëhet fjalë për një person që kishte sjellje normale dhe pak njerëz e vizitonin në banesën e tij.