Taksitë e verdha, rruga për te licenca

Mjeti, për të cilin kërkohet licenca e transportit të udhëtarëve duhet të jetë prodhuar pas vitit 2000
Licencat për taksitë jepen katër herë në vit, sipas një grafiku të përcaktuar nga Bashkia e Tiranës
Në një kryeqytet në zhvillim, siç është Tirana, ku numri i banorëve po rritet me shpejtësi, çështja e transportit publik është një nga çështjet më emergjente për tu zgjidhur. Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës hodhi nja hap përpara në këtë drejtim, duke rënë dakord me përfaqësuesit e operatorëve të transportit publik për përmirësimin e kushteve në autobusët qytetas. Por, autobusët nuk janë të vetmet mjete të transportit publik, punë mund të të zgjidhë edhe taksia. Kushton pak më shtrenjtë, por kushtet që ofron janë shumë më të mira. Aktualisht, në kryeqytet janë të licencuara 578 taksi, por sipas rregullores së Bashkisë së Tiranës, numri i licencave që kjo bashki ka të drejtë të japë është i pafundmë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kushdo që ka dëshirë mund të marrë një licencë. Ekziston një mekanizëm i tërë, i cili seleksionon kandidatët që kanë të drejtë të marrin këto leje.
Kështu për t'u pajisur me licencë në shërbimin taksi mund të aplikojnë si personat fizikë ashtu edhe ata juridikë. Ndryshimi i vetëm mes këtyre dy kategorive është se subjekti fizik mund të aplikojë vetëm për një licencë dhe me një automjet, ndërsa ai juridik mund të aplikojë për një numër të pakufizuar licencash. Gjithçka duhet të bëjë aplikuesi (qoftë ky fizik apo juridik) është të plotësojë disa kërkesa, si p.sh., të jetë me reputacion të mirë; të ketë besueshmëri financiare; të ketë kompetencën profesionale të nevojshme si dhe zotërimin e mjeteve të nevojshme për transportin e udhëtarëve 4+1 ose 8+1 vende. Dhe një nga kushtet kryesore është se mjeti, për të cilin kërkohet licenca e transportit të udhëtarëve duhet të jetë prodhuar pas vitit 2000.
Dokumentet që duhen për licencë
Personat fizikë që duan të aplikojnë për licencë duhet të paraqesin në bashki një dosje, e cila përmban: një kërkesë me shkrim; formularin e autodeklarimit dhe vetëdeklarimit (për personin fizik dhe për të punësuarin në rast se ka); dokumentin e kredibilitetit bankar, që vërteton gjendje të përshtatshme financiare (origjinal); një kopje të aktit të regjistrimit pranë Q.K.R-së; një fotokopje të noterizuar të dokumentit e gjendjes teknike të mjetit, si dhe nga një fotokopje të noterizuar të lejes së qarkullimit për automjetin dhe lejes së drejtimit; dëshminë e Aftësisë Profesionale të personit fizik ose të drejtuesit të ardhshëm të automjetit, në rast të mosplotësimit të këtij kriteri nga titullari i licencës; formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore për subjektin fizik dhe të drejtuesit të ardhshëm të automjetit, në rast të mosplotësimit të këtij kriteri nga titullari i licencës (bashkëlidhur fotokopje e dokumentit të identifikimit); vërtetim nga KMPCA, për subjektet fizike që kanë invalidë anëtarë të familjes (certifikatë familjare); dëshmia e jetimit për subjektet fizike që kanë jetim anëtarë të familjes deri në moshën 18 dhe 24 vjç, nëse vazhdojnë studimet, si dhe një vërtetim nga Bashkia e Tiranës si të pa strehë. Ndërsa, personat juridikë, të cilët dëshirojnë të marrin një licencë, përvçse kërkesës me shkrim, duhet të depozitojnë në bashki edhe një formular autodeklarim; dokumentin e kredibilitetit bankar që vërteton gjendje të përshtatshme financiare, një kopje të noterizuar të aktit të regjistrimit pranë Q.K.R-së, një kopje të aktit të themelimit dhe statusin e shoqërisë; dokumentin e gjendjes teknike të mjetit; një kopje të lejes së qarkullimit për çdo mjet dhe kontratën e qerasë në rast qiramarrje. Licencimi kryhet mbi bazën e shqyrtimit të dokumentacionit provues dhe shoqërues. Për sa i përket afatit kohor për aplikim, ai përcaktohet nga Bashkia e Tiranës, sipas një grafiku të caktuar. Njoftimet kryhen çdo muaj të tretë nga data e njoftimit paraardhës, në stendat dhe faqen zyrtare të Bashkisë. Çdo vit kalendarik ka 4 njoftime aplikimi për licenca që do të thotë se Bashkia një herë në tre muaj jep licenca për transportin e udhëtarëve.
Dokumentet që duhet të paraqesin personat fizik:
1. Kërkesë me shkrim;
2. Formulari i autodeklarimit dhe vetëdeklarimit (për personin fizik dhe për të punësuarin, në rast se ka)
3. Dokumentin e kredibilitetit bankar që vërteton gjendje të përshtatshme financiare (origjinal)
4. Ekstrakt nga akti i regjistrimit pranë Q.K.R-së (fotokopje)
5. Dokumentin e gjendjes teknike të mjetit (fotokopje të noterizuar)
6. Lejen e qarkullimit për automjetin (fotokopje të noterizuar)
7. Lejen e drejtimit (fotokopje të noterizuar)
8. Dëshminë e Aftësisë Profesionale të personit fizik ose të drejtuesit të ardhshëm të automjetit, në rast të mosplotësimit të këtij kriteri nga titullari i licencës (fotokopje të noterizuar)
9. Formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore për subjektin fizik dhe të drejtuesit të ardhshëm të automjetit, në rast të mosplotësimit të këtij kriteri nga titullari i licencës (bashkëlidhur fotokopje e dokumentit të identifikimit)
10. Vërtetim nga KMPCA, për subjektet fizike që kanë invalidë anëtarë të familjes (certifikatë familjare)
11. Dëshmia e jetimit për subjektet fizike që kanë jetim anëtarë të familjes deri në moshën 18 dhe 24 vjç nëse vazhdojnë studimet (fotokopje e noterizuar)
12. Vërtetim nga Bashkia e Tiranës si të pa strehë
Dokumentet që duhet të paraqesin personat juridik:
1. Kërkesë me shkrim
2. Formulari i autodeklarimit
3. Dokumentin e kredibilitetit bankar që vërteton gjendje të përshtatshme financiare (origjinal)
5. Ekstrakt nga akti i regjistrimit pranë Q.K.R-së (fotokopje të noterizuar)
6. Aktin e themelimit dhe statusin e shoqërisë (fotokopje të noterizuar)
7. Dokumentin e gjendjes teknike të mjetit (fotokopje të noterizuar)
8. Lejen e qarkullimit për çdo mjet dhe kontratën e qeras në rast qiramarrje (fotokopje të noterizuara)
12. Formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore për administratorin e shoqërisë (bashkëlidhur fotokopje e dokumentit të identifikimit)
13. Vërtetim për zotërimin e kompetencës profesionale për Drejtuesin/Administratorin (fotokopje e noterizuar)