E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, vritet pranë Akropolit shqiptari 21-vjeçar

Athinë- Një i ri shqiptar ka humbur jetën, pasi u masakrua për vdekje pranë Akropolit në Athinë, nga katër të rinj grekë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, në rrugën “Miauli” të zonës Psiri, pikërisht pranë qendrës së famshme antike në Akropol. Viktima, një emigrant shqiptar 21- vjeçar, është qëlluar me sende të forta dhe është lënë në rrugë duke dhënë shpirt. Pak minuta më vonë, dërgimi në spitalin shtetëror të Athinës vetëm sa konfirmoi vdekjen e të riut shqiptar. Policia, duke mbledhur dëshmi mbi ngjarjen, tha se 21-vjeçari shqiptar më herët gjendej në një lokal nate pranë Akropolit, së bashku me një shok. Në argëtim e sipër, dyshohet se i riu ka ngacmuar një vajzë e cila gjendej aty. Më pas që të dy kanë dalë nga lokali, për të shkuar në shtëpi, pa e besuar kurrë se ç’mund t’u ndodhte. Ata janë sulmuar me katër grekë, të cilët i kanë qëlluar me thikë duke therur 21-vjeçarin, kurse shoku i tij ka marrë plagë joserioze për jetën. Policia konfirmoi se katër grekët, autorë të vrasjes, kanë kryer aktin kriminal edhe pse nuk kishin asnjë lidhje me vajzën dhe as me 21- vjeçarin dhe shokun e tij. Ndaj, policia greke po heton për një krim racist të nxitur nga incidenti mes njërit prej të rinjve dhe vajzës në barin e natës. Vrasja ka ngjallur irritim në radhët e emigrantëve shqiptarë në Athinë. Shumë prej tyre janë shprehur se ishte një ekzekutim i pastër racist. Për më tepër, edhe policia ka pranuar në një komunikatë se viktima dhe autorët nuk kishin asnjë lidhje, njohje të mëparshme apo përplasje dhe, për më tepër, ata ishin të armatosur kurse i ndjeri, i pambrojtur. Lidhur me versionin që jep policia për vrasje në bashkëpunim nga katër grekët të 21-vjeçarit, pasi ky i fundit ngacmoi një vajzë në lokalin e natës, edhe opinioni grek ka mbetur i dyzuar. Marrë nga NOA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›