I zoti i shtëpisë “së bardhë”, padi Dick Marty-t: Raporti, makthi ynë
Tiranë- Imer Brama, pronari i banesës së aluduar si bazë e Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë, ka paditur Dick Marty-n, duke kërkuar prej tij rrëzimin e raportit dhe dëmshpërblim. Padia u dorëzua dje në Gjykatën e Tiranës nga avokati i familjes Brama, Roland Islami, i cili i parashtron gjykatës arsyet përse Dick Marty duhet detyruar të përgënjeshtrojë raportin dhe të dëmshpërblejë familjen e dëmtuar nga akuzat për trafik organesh. Sipas padisë, rezulton se Imer Brama është pronar i një shtëpie të madhe dykatëshe, e lyer me gëlqere. Kjo banesë, që ndodhet në fshatin Buraj, komuna Nikël, gati dhjetë kilometra nga rruga kombëtare, është kthyer në godinën e dyshimtë ku mund të jetë kryer trafik organesh gjatë luftës së Kosovës. “Kjo shtëpi, e cila është marrë si lajm nga imazhet e servirura nga mediat e huaja dhe në raportin e Dick Marty mendohet të ketë qenë një nga bazat kryesore të UÇK-së dhe pastaj pika ku pretendohet të jetë bërë transplanti”- thuhet në padinë e Imer Bramës. Por në argumentet që do t’i parashtrohen Gjykatës së Tiranës, thuhet se kjo banesë është bërë objekt kontrolli dhe ekspertimi, çka ka dëmtuar jo vetëm imazhin e pronarit të saj, por edhe reputacionin që ai gëzon në shoqëri. “Si shkak i këtyre raportimeve, shtëpia është bërë objekt ekspertimi dhe hetimi nga organet ndërkombëtare, duke u shndërruar në një makth për familjen e paditësit, sepse ata kanë qenë shumë të frikësuar” - thuhet në kërkesë-padi. Duke u ndalur në këtë pikë, paditësi ngre pretendimin se përveç faktit të dëmtimit të rëndë të imazhit, familjes së tij i është dashur të lërë shtëpinë, për shkak të kontrolleve të vazhdueshme që kanë ardhur pas publikimit të raportit të Dick Marty-t. “Jemi detyruar që për arsye hetimi të zhvendosemi për të gjetur një vendbanim, pasi herë pas here kemi qenë të detyruar për të dalë jashtë nga shtëpia, për faj të tij (Dick Marty), duke na goditur ne” - thotë paditësi Imer Brama. Por dëmtimi i imazhit të familjes Brama, sipas paditësit, ka sjellë edhe pasoja të tjera negative në jetën e kësaj familjeje, e cila ndihet e diferencuar nga shoqëria dhe e dëmtuar moralisht. “Në kushtet që ndodhem sot, jam shumë i rënë moralisht, pasi pala e paditur në raportin e saj ka bërë objekt hetimi shtëpinë time, pa asnjë argument, duke shpifur në kundërshtim me ligjin dhe të drejtën. Rënia e moralit tonë dhe besimit në arenën shqiptare, por dhe atë ndërkombëtare, ka të bëjë më faktin se ne sot shihemi si të akuzuar, megjithëse është pretenduar si hetim, hyrja në detaje për personifikimin dhe identifikimin e shtëpisë, nga pala e paditur është një shpifje dhe ofendim në lidhje me një akuzë shumë të rëndë që bëhet në adresë të palës paditëse” - thuhet në kërkesë-padi.