E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen edhe 8 kg marijuanë, identifikohet tregtari

Gjirokastër- Ndërsa kanë sekuestruar ngarkesën e tretë të marijuanës gjatë kësaj jave, si dhe kanë ndaluar transportuesin e saj, efektivat e policisë së Gjirokastrës kanë bërë të mundur identifikimin e një të riu nga fshati Lazarat, i cili ka tregtuar në total rreth 14 kilogramë marijuanë të sekuestruara nga policia lokale prej fillimit të javës. Gjatë aksionit të tretë antidrogë, të zhvilluar mbrëmjen e së martës, strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër kanë sekuestruar sërish në një autobus udhëtarësh rreth 8 kilogramë marijuanë. Bllokimi i kësaj ngarkesë me drogë, vjen pas 1 kilogramë e 100 gramë marijuanë sekuestruar një të riu nga Kosova si edhe aksionit për bllokimin e rreth 5 kilogramë marijuanë në autobusin e pasagjerëve të linjës Kakavije-Tiranë dhe ndalimin e një të riu nga Tirana, i dyshuar si transportues i saj. Aksioni i tretë antidrogë për këtë javë pati si qëllim kontrollin e një autobusi të linjës Gjirokastër-Tiranë. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve kanë marrë një informacion në rrugë operative se në një autobus të linjës Gjirokastër -Tiranë udhëtonte një person i cili kishte një çantë valixhe dhe brenda saj mund të kishte lëndë narkotike. Menjëherë specialistët e këtij sektori kanë bashkëpunuar me Postbllokun e Policisë, i cili është i ngritur në dalje të qytetit të Gjirokastrës, në afërsi të Viroit, i përbërë nga Policia e Rendit, Qarkullimit Rrugor dhe nga agjentë të Sektorit Kundër Narkotikëve. Efektivat e policisë kanë bërë ndalimin dhe më pas kontrollin e imtësishëm të autobusit të dyshuar. Sipas grupit hetimor, gjatë kontrollit në bagazhet e autobusit policia zbuloi një çantë valixhe dhe brenda saj u konstatuan disa pako të mbështjella me letër natriban, me lëndë narkotike. Menjëherë autobusi së bashku me rreth 40 pasagjerët është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për veprime të mëtejshme hetimore. Pas disa orë hetimesh, mbrëmjen e së martës, specialistët e antidrogës zbuluan se poseduesi i valixhes me të cilën transportoheshin rreth 8 kilogramë marijuanë ishte 34-vjeçari Iraklis Zografi, lindur në Librazhd dhe banues në Lushnjë. Ai u ndalua për veprën penale të “prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Gjatë hetimeve në lidhje me blerjen e ngarkesës me drogë policia arriti të identifikonte një 27-vjeçar nga fshati Lazarat, duke e shpallur atë person në kërkim pasi dyshohet se së bashku me këtë ngarkesë marijuane, e cila kishte si destinacion qytetin e Lushnjës, ka tregtuar në total 14 kilogramë marijuanë të bllokuara nga policia gjatë kësaj jave në tre operacione antidrogë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›