E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi i 21 Janarit, 3 çështjet që vënë në dilemë prokurorët

SHKRUAN: Leonard Bakillari 31-03-2011 16:39

Tiranë- Ekspertiza e armëve të Gardës, dëshmitë e reja mbi vrasjen e Aleks Nikës dhe eksperimenti hetimor, janë tri fazat e reja të hetimit të Prokurorisë mbi ngjarjet e 21 Janarit. Hetimet e deritanishme i janë nënshtruar dje një analize të detajuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Pas takimit me ekspertët amerikanë në Prokurorinë e Tiranës, grupi hetimor i çështjes u ka prezantuar dje eprorëve rezultatet e deritanishme për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, ku humbën jetën katër demonstrues dhe u plagosën 7 të tjerë. Veprimet e fundit hetimore mësohet se kanë qenë në fokus të kësaj analize, ku prokurorët e çështjes kanë marrë edhe udhëzimet respektive për mënyrën se si do të operojnë në vijimësi të hetimeve. Burime të rezervuara thanë se mesditën e djeshme tre prokurorët e grupit hetimor janë thirrur për analizë në Prokurorinë e Përgjithshme, ku janë diskutuar një sërë çështjesh që mund të hedhin dritë mbi të vërtetat e 21 Janarit. Akt-ekspertimet e armëve të gardistëve, dëshmitë e miqve dhe të afërmve të Aleks Nikës, si dhe saktësimi i vendit të ngjarjes, pas eksperimentit të zhvilluar dy ditë më parë, mësohet se kanë qenë disa nga pikat ku është përqendruar analiza. Sipas Prokurorisë, mësohet se deri tani është bërë akt-ekspertimi për të paktën 25 armë automatike të kalibrit 9 mm dhe disa armë tip pistoleta, që janë pjesë e armatimit të Gardës së Republikës. Sipas këtyre akt-ekspertimeve, rezulton se asnjë prej armëve të ekspertuara nuk ka qëlluar më 21 Janar, çka automatikisht përjashton nga hetimi gardistët që kanë në përdorim pistoletat si armë shërbimi, apo edhe ata efektivë të Gardës që kanë pasur armët automatike më 21 Janar. Një tjetër element i analizuar mes prokurorëve të çështjes dhe drejtuesve të Prokurorisë së Përgjithshme ka të bëjë me skenën e ngjarjes dhe përcaktimin e saktë të pozicionit të të plagosurve në momentet e ngjarjes. Vetëm një ditë më parë, hetuesit e çështjes kryen një eksperiment hetimor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku të 7 të plagosurit e ngjarjes janë vendosur në vendet ku ata ndodheshin pasditen e demonstratës së 21 Janarit. Ky veprim, sipas Prokurorisë, synon të krijojë një skenë të plotë për ngjarjen, por gjithashtu të përcaktojë edhe drejtimin e qitjes së armëve që shkaktuan 4 të vrarë dhe 7 të plagosur. Të gjitha veprimet e grupit hetimor mësohet se janë vlerësuar nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila gjithashtu ka sugjeruar kryerjen e një sërë veprimesh të tjera që kanë të bëjnë me vendin e ngjarjes dhe identifikimin e personave që dyshohet se kanë qëlluar ndaj turmës së protestuesve. Sipas burimeve, bëhet me dije se e njëjta procedurë, pra eksperimenti hetimor, do të përsëritet edhe për katër viktimat. Për të përcaktuar vendndodhjen e tyre, grupi i hetimit do të ndihmohet nga pamjet filmike të transmetuara në media, por edhe nga dëshmitarët okularë që kanë qenë të pranishëm në momentet e vrasjes së katër demonstruesve. Deri tani, Prokuroria ka siguruar pamjet filmike për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës, të cilët dyshohet se janë dy viktimat e para, ndërsa nëpërmjet dëshmitarëve do të përcaktojë edhe vendndodhjen e dy viktimave të tjera, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›