E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike, të 'indinjuarit' protesta në të gjithë botën

Tubime dhe manifestime mbahen sot në të gjithë botën nga të ashtuquajturit "indignados", të indinjuarit, lëvizja që lindi 5 muaj më parë në Spanjë, kundër valës së krizës ekonomike. Sipas organizatorëve, 952 qytete në më shumë se 82 vende të botës bëhen pjesë e kësaj nisme. Kështu pritet të ketë tubime në Nju-Jork, Londër, Frankfurt, Madrid, Athinë, Tel Aviv, Romë e shumë qytete të tjera. Ndërkohë, në kryeqytetin italian, me thirrjen “Borxhin nuk e paguajmë ne”, dhjetëra mijëra të indinjuar do të pushtojnë rrugët e qendrës së Romës kundër politikave ekonomike të qeverive europiane, bankave dhe institucioneve ndërkombëtare financiare. Një ditë më parë, mijëra të rinj sulmuan me bojë dhe vezë selitë e bankave në Milano si dhe Fininvest, institucionin financiar që drejtohet nga familja e Silvio Berluskonit. Në Athinë, kryeqytetin europian më të goditur nga kriza e borxheve në eurozonë, ekziston frika se mund të ketë përleshje të dhunshme, që në fakt kanë karakterizuar shpesh protestat në Greqi. Në orën 15:00, një manifestim është organizuar në sheshin “Sintagma”, ku ndodhet selia e parlamentit, teatër i manifestimeve të pranverës së vitit të kaluar. Në SHBA, priten gjithashtu manifestime të shumta, veçanërisht në Bregdetin Lindor, por gjithsesi zemra e protestave do të jetë Nju- Jorku, ku në 17 shtator lëvizja “Pushtoni Wall Street” thirri 20 mijë vetë për të pushtuar Manhattan-in dhe për të qëndruar aty për disa muaj, duke ndjekur kështu shembullin e të indinjuarve të Madridit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›