E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi zgjerohen grevat. Mbyllen edhe bizneset e vogla

Greva e përgjithshme 48-rëshe përfshin gjithë Greqinë, deri edhe monumentin simbol Akropolin. Që prej orëve të mëngjesit janë pezulluar shërbimet publike, ndërsa qëndrojnë mbyllur zyrat e dyqanet.  Greva e sindikatave zhvillohet kundër planit të kurismeve të qeverisë, ndërsa parlamenti pritet të miratojë një program tjetër drastik, i cili përveç rritjes së taksave dhe uljes së pagave, parashikon edhe shkurtimin e vendeve të punës në sektorin shtetëror. Sindikatat ankohen se kursi i kursimeve është i padrejtë në aspektin social dhe ngulfat ekonominë e kanë bërë thirrje për rritjen e taksave për të pasurit.

Mbyllja e zyrave qeveritare dhe pezullimi i transportit e shërbimeve të tjera nuk është gjë e re për Athinën. Por sot për herë të parë, qepenat i mbyllën edhe bizneset e vogla, ndërsa me protestën u bashkuan edhe shitësit në tregje. Kontrollorët e trafikut ajror kanë lënë punën për 12 orë, çka ka çuar në anullimin e 150 fluturimeve. As trenat, autobuzët, taksitë e kamionët nuk do të qarkullojnë sot.

Sindikatat kanë paralajmëruar për protestën më të madhe gjatë këtyre 18 muajve, që kur Greqia mori këstin e parë të ndihmës. E ndërsa Athina është blinduar nga forcat e rendit, të parët që u tubuan për protestë para Ministrisë së Drejtësisë ishin gardianët e burgjeve. Në orët e mëngjesit nisën gjithashtu protestën edhe punonjësit e portit, të cilët u mblodhën në Pire.

Përballë presionit të jashtëzakonshëm të brendshëm, por edhe nga vendet e tjera, Kryeministri Jorgo Papandreu bëri një apel të fundit për mbështetje të martën mbrëma, duke e krahasuar situatën e Greqisë me një luftë. Mes të tjerave, ai u ka thënë deputetëve të partisë në pushtet PASOK, se ishte detyra e tyre të mbështesnin masat e reja. E ndërsa shkurtohen dhe 30 mijë vende të tjera pune, me masat e reja papunësia në Greqi është rritur në 16.5 përqind në korrik, duke iu afruar rekordit të shënuar në muajin maj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›