E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Pikramenos merr mandatin për krijimin e qeverisë

ATHINE - Më 17 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e reja ne Greqi, pas dështimit për të krijuar një qeveri nga zgjedhjet 10 ditëve më parë. 

Kryetari i Këshillit të Lartë të Shtetit, Panajotis Pikramenos do të jetë kryeministër i qeverisë së përkohshme, që do të çojë vendin në zgjedhje. 

Ai mori sot mandatin nga presidenti i Republikës, për krijimin e qeverisë së përkohshme. "Është thjesht një qeveri e përkohshme që do të shkojë në kuadrin e Kushtetutës", tha zoti Pikramenos. "Vendi po kalon kohë shumë të vështira. Nën drejtimin tuaj zoti president, duhet ta shpëtojmë atë nga rreziqet, të kalojmë një tranzicion të qetë me qeveri politike", tha kryeministri Pikramenos.

Me humor ai iu drejtua Presidentit Papulias duke thënë: "Kam lexuar sot në gazeta se mbiemri im (që në greqisht do të thotë "i hidhëruar") është i përshtatshëm, për kryeministrin e një periudhe të keqe, që duhet të jetë e fundit për Greqinë", dhe shtoi: "Unë shpresoj se pas meje që të fillojë një rigjenerimin i vendit tonë të bukur"

Nesër betohet qeveria teknike e Pikromenos, ndërsa të premten parlamenti do të shpërndahet, për t'i hapur rrugën përgatitjes së zgjedhjeve.

Zhvillimi i sotëm erdhi pas konsultimeve të përsëritura, të cilat nuk rezultuan në marrëveshje për një qeveri që do të mbante vendin në euro dhe do rishikonte kushtet e Memorandumit. 

Nga zgjedhjet e ardhshme, sipas sondazheve, me shumë gjasë pritet një fitues i majtë, që ka premtuar anulimin e memorandumit të masave dhe mbajtjen e Greqisë në Euro. Por sesa të mundshme janë të dyja këto opsione së bashku, përgjigjen e japin paralajmërimet e përditshme të zyrtarëve evropianë dhe kreditorëve të Greqisë. Ata përsërisin se shmangia e Greqisë nga reformat dhe angazhimet e premtuara, rrezikon dëbimin e saj nga Eurozona. 

Shpresa e vetme është që në qershor pjesëmarrja në votime të jetë më e lartë dhe që mbi të gjitha zgjedhësit të reagojnë me urtësi më të madhe se udhëheqësit politikë, duke vendosur për kë do të votojnë, pasi të kenë kuptuar të vërtetën e hidhur, se qëndrimi në euro dhe politika e kursimeve, janë dy anët e së njëjtës medalje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›