E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH: Përmirësim i vazhdueshëm i menaxhimit të qendrave shëndetësore

TIRANË- Përmirësimi i vazhdueshëm i menaxhimit të qendrave shëndetësore ka sjellë dhe një përmirësim të dhënies së shërbimit ndaj pacientëve, sipas ISKSH. Duke i krahasuar të dhënat me vitin 2008, shihet një përmirësim i ndjeshëm i perceptimit të stafit mjekësor për menaxhimin e qendrave shëndetësore, bëhet e ditur nga një anketim i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Kështu, bazuar në të dhënat e anketimit, ky tregues është përmirësuar në 65.4% nga 36%, që ishte në vitin 2008. Gjithashtu përmirësim ka në drejtim të marrëdhënieve të stafit me drejtorin e qendrës shëndetësore, në 84.2%, kundrejt 60% që ishte në 2008.

Një tjetër tregues pozitiv, sipas ISKSH, është dhe komunikimi në çdo nivel, që aktualisht matet në nivelin 83.9 %, kundrejt 57% që ishte në 2008.

Përmirësimi i vazhdueshëm i menaxhimit të qendrave shëndetësore është parë nga ana e ISKSH-së si një element kyç në suksesin e reformës.
Studimi u krye në qendrat shëndetësore në qytet për 12 rajonet dhe nga një qendër shëndetësore në komunë për rajon. Në total u intervistuan 1431 personel mjekësor. 

Reforma në kujdesin shëndetësor, e nisur nga janari i vitit 2007, ka hyrë në vitin e katërt të saj.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›