Greqia, FMN-ja përgënjeshtron gazetën "Spiegel"

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përgënjeshtruar pohimet se Greqia nuk ka realizuar deri tani asnjë prej qëllimeve për të cilat ka rëndë dakord me institucionet ndërkombëtare. Këto pohime janë të pavërteta, tha një zëdhënës i FMN-së, duke shtuar se konsultimet me qeverinë në Athinë po vazhdojnë, janë të suksesshme dhe pritet të përfundojnë shpejt. Gazeta gjermane "Der Spiegel", shkruan duke iu refereuar raportit të ekspertëve të Komisionit të BE-së, Bankës Evropiane dhe FMN-së se deficiti i Greqisë është më i lartë se sa që është premtuar dhe se për shkak të mungesës së tempos së reformave, janë vënë në pikëpyetje ndihmat e planifikuara financiare. Greqia duhet të kursejë në katër vitet e ardhshme 78 miliardë euro. Gjendjen e vështirëson edhe më shumë fakti që prej mesit të qershorit Greqia pa ndihma nga jashtë nuk do të ketë mundësi të paguajë obligimet e saj financiare ndërkombëtare. Nuk do të ketë mundësi të paguajë as rrogat dhe pensionet për qytetarët e saj, shkruan gazeta. Deficiti shtetëror është më i lartë se sa që është premtuar, informonte “Der spigel” duke iu refereuar raportit të ekspertëve të Komisionit të BE-së, Bankës Evropiane dhe FMN-së. Për këtë shkak edhe të ardhurat fiskale janë më të ulëta se sa është planifikuar. Më herët edhe Norvegjia vendosi të pezullojë ndihmën financiare që i jepte Greqisë së mbërthyer nga vështirësi të mëdha financiare, duke theksuar se Athina nuk i respekton detyrimet e saj.